Escobar e la për fund Kurtin, ja si e interpreton Gorani

Aktuale

Escobar e la për fund Kurtin, ja si e interpreton Gorani

Më: 14 mars 2024 Në ora: 11:09
Dukagjin Gorani

Analisti dhe panelisti i rregullt i emisionit Pressing në T7, Dukagjin Gorani, po e sheh si poshtërues faktin që emisari amerikan, Gabriel Escobar, e ka lënë ta takojë kryeministrin Albin Kurti të fundit.

Gorani thotë se ky aranzhim i takimeve me krerët e shtetit, ku takimi me kryeministrin Kurti caktohet pak para se Escobar ta marrë aeroplanin për t’u larguar nga Kosova është mesazh poshtërues.

“Nesër e ka lënë me e taku shefin e Qeverisë, që besa edhe shefin e shtetit, dmth pak para se me pas aeroplanin e ka takimin me kryeministrit e vendit. Ky është mesazh për mua, si e kisha interpretu është mesazh poshtërues”, ka thënë Gorani.

Escobar të mërkurën në Prishtinë e ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të cilën e ka cilësuar edhe si garantuese të raporteve me SHBA-në. Ai ka takuar edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe gjithashtu në mbrëmjen e djeshme ka takuar krerët e partive opozitare.

Sot në orën 15:30 siç ka njoftuar Zyra për Media e kryeministrisë, kryeministri Kurti do ta presë në takim emisarin amerikan, Gabriel Escobar.

Ky takim vjen pas një varg deklaratash nga zyrtarë të lartë të Qeverisë Amerikane, përfshirë Ndihmës Sekretarin, Jim O’Brien, vetë emisarin Escobar dhe ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Vendimin e Qeverisë Kurti për çështjen e dinarit, SHBA e ka konsideruar si një vendim katastrofal. Jim O’Brien duke parë kokëfortësinë e kryeministrit Albin Kurti për të mos e dëgjuar kërkesën amerikane për shtyrje të vendimit, ka thënë se nëse Kurti nuk e konsideron SHBA-në partnere, atëherë njëjtë do të konsiderohet edhe nga Washingtoni zyrtar. Ndonëse vetë Kurti është munduar të paraqes se asgjë e gabuar s’po ndodh në raportet me SHBA-në, Ambasadori i SHBA në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se një gjë e tillë s’është e vërtetë dhe se raportet janë ndikuar negativisht.

Para se të arrijë në Prishtinë, Gabriel Escobar në një konferencë për media me gazetarë, ka thënë se SHBA ka probleme komunikimi me kryeministrin Albin Kurti, dhe ka shtuar se jo vetëm SHBA por edhe BE-ja, NATO e shtetet e tjera.

Escobar ka thënë se kjo vizitë e tij në Prishtinë po bëhet për t’i kthyer gjërat në binarë dhe ka sqaruar se SHBA nuk po e konteston legjitimitetin e vendimit për dinarin, por që Washingtoni zyrtar është kritikues për mënyrën se i është marrë vendimi dhe se si është implementuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat