Pas rastit të 13 vjeçares protestohet në Prishtinë, kërkohet mbrojtja e vajzave dhe grave

Aktuale

Pas rastit të 13 vjeçares protestohet në Prishtinë, kërkohet mbrojtja e vajzave dhe grave

Më: 14 mars 2024 Në ora: 14:25
Foto ilustrim

Me thirrjet “Siguri për vajza dhe gra”, “Kush na mbron nga Policia”, “Ne nuk harrojmë”, “S’ka paqe pa sigurinë e grave”, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar, për të kërkuar siguri ndaj grave dhe vajzave.

Protesta ka filluar nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e qeverisë.

Aktivistja Fjolla Muqaj, ka thënë se të gjitha gratë e fillojnë dhe e mbarojnë ditën duke u frikësuar për veten e tyre e për shoqërinë e tyre.

Muqaj: Të gjitha prej nesh e fillojmë ditën e mbyllim natën duke u tut për veten, për shoqen

“Të hënën, mediat raportuan që dy burra kanë rrëmbyer një vajzë nga Malisheva, fëmija që në raportin e policisë figuronte si ‘person i zhdukur’ u gjend në një shtëpi në Drenas e përdhunuar... Andaj, bashkëprotestues, ju kemi thirr sot për t'i zaptu edhe një herë sheshet e për ta tregu haptazi që në ketë shtet nuk ka kurrfarë paqe a sigurie. Nuk ka pagë, liri a siguri kur ato janë privilegj i një pakice... 01:07. Nuk ka pagë e as kurrfarë drejtësie kur çdo ditë ndonjë grua në Kosovë rrihet, ngacmohet, dhunohet e dikur edhe vrahet. Të gjitha prej nesh e fillojmë ditën e mbyllim natën duke u tut për veten, për shoqen e për të gjitha grat e tjera, që i njohim ose jo. Kjo nuk është gjendje e paqe, kjo veç gjendje paqe nuk është, kjo është luftë e cila na kthen kundër njëra tjetrës që i bënë burrat dhunues e gratë viktima,” tha Muqaj.

Ndërkaq, edhe aktivistja Erza Dubrova u shpreh se shteti ose heshtë ose bëhet bashkëfajtor në dhunën që ushtrohet ndaj grave.

Dubrova: Shteti ose heshtë ose bëhet bashkëfajtor në dhunën që ushtrohet ndaj nesh

“Hiç më larg se 5 ditë pasi e shënuam 8 Marsin për ta denoncuar dhunën ndaj çikave e grave në Kosovë, si vazhdimësi e kësaj dhune të ushtruar u dëshmua të hënën ku mediat raportuan që dy burra kanë rrëmbyer e dhunuar një vajzë nga Malisheva. Fëmija që në raportin e policisë figuronte si person i zhdukur në fakt u gjend në një shtëpi në Drenas e përdhunuar, për ne është revoltuese që teksa ne rrezikohemi çdo ditë, e çdo kund, shteti na përgjigjet ose me tentativa me retorika të thata që veç përmbajnë rendin aktual dhunues. Tek sa ne jemi në luftë të përditshme për të mbrojtur trupat tanë shteti ose heshtë ose bëhet bashkëfajtor në dhunën që ushtrohet ndaj nesh”, u shpreh Dubrova.

Ndryshe, të dyshuarit për dhunimin e 13 vjeçares janë në paraburgim. Policia pas identifikimit ka arrestuar të dyshuarit e moshës madhore.

Dy të dyshuarve për dhunimin u janë caktuar nga 30 ditë paraburgim nga Gjykata e Pejës më 12 mars 2024.

Kolektivi "Marshojmë s'festojmë" kishte organizuar marshin tradicional ditë më parë në nderë të Ditës Ndërkombëtare të Gruas. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat