Stoltenberg: NATO mban dialogun politik me Serbinë - prania në Kosovë kyçe për të gjithë Ballkanin

Aktuale

Stoltenberg: NATO mban dialogun politik me Serbinë - prania në Kosovë kyçe për të gjithë Ballkanin

Nga: F. B. Më: 14 mars 2024 Në ora: 16:49
Jens Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në raportin e publikuar sot për vitin 2023, ka theksuar se NATO mbajti dialog politik në nivelin e lartë me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve të sigurisë rajonale. Ai gjithashtu theksoi se prania e NATO-së në Kosovë është kyçe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Stoltenberg lidhi punën e KFOR-it dhe angazhimit të NATO-së në Ballkan me dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuar nga BE-ja, duke e vlerësuar atë si platformën kryesore për gjetjen e zgjidhjes.

Aleanca vazhdon të jetë e përkushtuar në të siguruarën e stabilitetit në Ballkan, duke e konsideruar atë si një rëndësi strategjike për NATO-n.

"NATO mbetet e përkushtuar në mbështetjen e dialogut me ndërmjetësimin e BE-së. Dialogu është një platformë kyçe për gjetjen e zgjidhjes duke respektuar të drejtat e bashkësive dhe ndërtuar paqe të qëndrueshme që do të jetë në dobi të Kosovës dhe stabilitetit në rajonin e gjerë," tha ai.

Stoltenberg shtoi se NATO ka vazhduar partneritetin e bashkëpunimit me zyrën ushtarake të NATO-së në Beograd për të mbështetur aktivitetet e Serbisë në kuadër të programit për paqe. Forcat e KFOR-it, që vepron me mandatin e rezolutës 1244 të OKB-së në Kosovë, kanë vazhduar të angazhohen për sigurinë dhe lirinë e lëvizjes, duke bashkëpunuar me BE-në, OKB-në dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Ai theksoi se forcat e NATO-së në Kosovë kanë luajtur një rol kyç në sigurinë e Kosovës gjatë rritjes së tensioneve dhe pasigurisë në veri. "Pas dhunës në maj dhe shtator, aleatët kanë vendosur rreth 1 mijë trupa shtesë, duke bërë rritjen më të madhe në dekadën e fundit," tha Stoltenberg, duke njoftuar për dyfishimin e patrullimeve dhe katërfishimin në komunat në veri.

Në dhjetor të vitit 2023, 27 vendet aleate që kontribuojnë në KFOR kanë siguruar 4 mijë e 700 ushtarë në mision, duke përfshirë edhe përbërjen rezervë. Në raport, thuhet se gjatë kësaj kohe, Stoltenberg ka vizituar Bosnje-Hercegovinën, Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë, duke përcjellë një sinjal të fortë për përkushtimin e NATO-s ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkan, në kontekstin e sigurisë globale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat