Bajrami u kërkon falje qytetarëve për gjuhën e përdorur në seancën për kontratat njëburimore

Aktuale

Bajrami u kërkon falje qytetarëve për gjuhën e përdorur në seancën për kontratat njëburimore

Më: 15 mars 2024 Në ora: 12:09
Hykmete Bajrami

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, u ka kërkuar falje qytetarëve për gjuhën e përdorur dje në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për kontratat njëburimore.

Përmes një postimi në Facebook, ajo tha se ‘kur përballësh me pushtetin që për kauza të rrejshme kanë çuar njerëz drejt vdekjes, që kanë përdorur edhe armë në Parlament për të ardhur në pushtet, njeriu nganjëherë nga helmi qe prodhon ky pushtet dhe mund të përdorë gjuhë që nuk i shërben shëndetit të demokracisë’.

Postimi i plotë:

Kur përballësh me pushtetin që për kauza të rrejshme kanë çu njerëz drejt vdekjes, që kanë përdorur edhe armë në Parlament për të ardhur në pushtet, njeriu nganjëherë nga helmi qe prodhon ky pushtet dhe mund të perdorë gjuhë që nuk i shërben shëndetit të demokracisë. Një rast i tillë ishte dje kur përballë shpifjeve, fyerjeve dhe hajnisë së kësaj Qeverie nuk kam përzgjedhur në disa raste fjalët e duhura. Prandaj, ju kërkoj falje qytetarëve që mund të jenë të prekur me gjuhën që kam përdorur dje në seancë.

Qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh se kënd votojnë janë motivi i angazhimit tim politik dhe liria e bindjes së tyre për mua është e shenjtë.

Dje kur u debatua për kontratat njëburimore të Qeverisë si burim korrupsioni jam përpjekur të zbërthej korrupsionin që ka përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje nga Albin Kurti te Nagip Krasniqi e nga Martin Berishaj deri te Ridvan Muharremi i rezervave shtetërore. Kjo hajni e një mendësie politike që ka ardhë në pushtet me flamurin e antikurropsionit, me ka nxitur të demaskoj mashtrimin, me fjalë ndoshta të pa përshtatshme për kulturën dhe bindjet politke që unë përfaqësoj.

Edhe një herë, ju kërkoj falje qytetarëve që mund të jenë prekur nga fjalët që kam përdorur në seancën plenare.

VV-ja ka ardhur në pushtet duke gënjyer, shpifur e akuzuar secilin që i ka dalë përpara. Edhe në seancën e fundit shpifën, gënjyen për t’i mbuluar hajnitë dhe faljen e tokës për Manastirin e Deçanit. Pasi ata nuk kanë moral në politikë nuk do të thotë që ne tjerët nuk duhet ta ruajm moralin dhe dinjitetin!

Shihemi në beteja tjera!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat