Tha se Serbia ka pasur lidhje financiare dhe organizative me sulmin në Banjskë, Serwer reagon ndaj deklaratës së Escobarit

Aktuale

Tha se Serbia ka pasur lidhje financiare dhe organizative me sulmin në Banjskë, Serwer reagon ndaj deklaratës së Escobarit

Më: 15 mars 2024 Në ora: 20:26
Daniel Serwer

Analisti amerikan Daniel Serwer, ka reaguar ndaj deklaratës së emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se Serbia ka lidhje financiare dhe organizative në sulmin terrorist në Banjskë dhe se SHBA kërkon përgjegjësi.

Profesori amerikan në Universitetin John Hopkins, Daniel Serwer, ka komentuar deklaratën e emisarit amerikan, të publikuar në rrjetin social X nga analisti nga Instituti Evropa e Re, Jakub Bielamowicz.

Escobar ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se SHBA mendon se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, “por ne po e hetojmë atë plotësisht. Por, për sa i përket krimit që është kryer, mendoj se hetimi është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës”.

“Nuk kishim nevojë të bënim një hetim. Ne kishim inteligjencë dhe rezultatet e hetimit janë shumë afër me atë që kemi kuptuar.

Pra, ne nuk po i kërkojmë Serbisë një hetim lidhur me atë që ka ndodhur më 24 shtator. Ne po kërkojmë përgjegjësi”, ka theksuar ai.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Serwer.

“U deshën 6 muaj, por më mirë vonë se kurrë”, ka shkruar Serwer, duke iu referuar deklaratës së Escobar.

Ndryshe, Agjencia e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara në një raport të publikuar të hënën, ka paralajmëruar se mund të ketë një kërcënim në Ballkanin Perëndimor – pra rajoni mund të jetë epiqendër e dhunës ndëretnike.

Raporti i referohet ngjarjeve të fundit, si sulmi i armatosur në Banjskë ku mbeti i vrarë polici i Kosovës Afrim Bunjaku, dhe tensionet e muajit maj 2023, ku përleshjet mes KFOR-it dhe protestuesve serbë në veri të Kosovës lanë të plagosur dhjetëra ushtarë të forcave paqeruajtëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat