Varfëria dhe mungesa e perspektivës rrit numrin e fëmijëve lëmosh-kërkues

Aktuale

Varfëria dhe mungesa e perspektivës rrit numrin e fëmijëve lëmosh-kërkues

Më: 17 mars 2024 Në ora: 09:07
Foto ilustrim

200 fëmijë janë evidentuar si fëmijë lëmosh-kërkues. Këto të dhëna për Radio Kosovën i ka konfirmuar Policia e Kosovës. Sipas drejtuesve të organizatave për mbrojtjen e fëmijëve, arsyeja pse këta fëmijë janë në situatë të tillë është varfëria dhe mungesa e perspektivës.

Numri i fëmijëve të cilët janë në situatë rruge dhe janë të detyruar të kërkojnë lëmoshë, viteve të fundit ka shënuar rritje.  
Policia e Kosovës, në një përgjigje më shkrim për Radio Kosovën ka bërë të ditur së gjatë vitit 2023 ishin 364 persona lëmosh-kërkues ku prej tyre janë të evidentuar 200 fëmijë.  

Arsyeja  kryesore që këta fëmijë detyrohen të qëndrojnë në rrugë dhe të kërkojnë lëmoshë është varfëria.   

E, për ta zbutur këtë gjendje Organizata “ Terre des hommes” ka hapur dy qendra ditore në Prishtinë dhe në Prizren.  
Shefi i zyrës së Organizatës “Terre des hommes” në Kosovë, Pajtim Zeqiri,  i tha Radio Kosovës se sipas një studimi të fundit, 9 në 10 fëmijë, të grupeve të margjinalizuara, gjenden në rrugë si pasojë e varfërisë.

“Në këto raste vlen të theksohet së arsyeja kryesore pse këta fëmijë janë në situatë rruge është për shkak të varfërisë, kushteve të rënda socio-ekonomike dhe mungesa e perspektivës. Sipas një studimi që është realizuara së fundmi, 9 në 10 fëmijë gjenden në situatë rruge të cilët kryesisht vijnë nga grupet e margjinalizuara etnike. Këta fëmijë kryesisht janë të komunitetit rom, ashkali dhe atij egjiptian”, tha ai. 

Zeqiri, foli edhe për shërbimet të cilat ofrohen në qendrat ditore për fëmijët në situatë rruge e që janë shumë të nevojshme. Ai tha së në këto qendra ditore që aktualisht janë dy në Kosovë, ofrohen shumë shërbime që kanë për qëllim fuqizimin e fëmijëve dhe njëkohësisht edhe familjen. 

"Qendrat tona ditore ofrojnë një gamë të gjerë të shërbimeve. Qasja jonë, në kuptimin e shërbimeve, është një qasje e integruar. Kjo nënkupton që shërbimet tona nuk kufizohen vetëm te një shërbim të drejtpërdrejtë, por te disa shërbime të ndërlidhura më qëllim që ta fuqizojmë fëmijën dhe njëkohësisht edhe familjen”, tha Pajtim Zeqiri.

Ndërkohë, ditë më parë zyra e UNICEF-it në Kosovë ka publikuar një  raport ku theksohet se fëmijët në situatë rrugë janë të moshës 6-17 vjeç dhe i përkasin kryesisht komunitetit rom, ashkali dhe atij egjiptian.  

95 për qind prej tyre e shohin varfërinë si shkaktarin kryesor që i ka shtyrë të dalin në rrugë. Organizatat e ndryshme që kanë për qëllim mbrojtjen e fëmijëve, në vazhdimësi kanë vlerësuar së fëmijët në situatë rruge, paraqesin shqetësim në të gjithë Ballkanin Perëndimor.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat