Këshilltarja e Kurtit kritikon ashpër Escobarin e Lajçakun - ka disa fjalë për takimet e tyre me serbët e veriut

Aktuale

Këshilltarja e Kurtit kritikon ashpër Escobarin e Lajçakun - ka disa fjalë për takimet e tyre me serbët e veriut

Më: 17 mars 2024 Në ora: 17:19
Ardita Sinani dhe Albin Kurti

Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nga Lugina e Preshevës, e ka kritikua të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për mungesën e “takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.

Sinani tha se kjo qasje e diplomatit amerikan, por edhe ajo e të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, “mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

“Shpreh keqardhje që z.Gabriel Escobar dhe z.Miroslav Lajčak, nuk kanë takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Republikën e Serbisë. I kuptueshëm takimi i fundit me përfaqësuesit serbë të veriut të Kosovës, duke i marrë parasysh zhvillmet. Por e pakuptueshme mungesa e takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kjo qasje madje edhe mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Sinani në një postim në Facebook.

Ajo tha se “shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur” dhe se “këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane”.

“Lugina e Preshevës si rajon dhe shqiptarët në Serbi përballen me shumë probleme për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, shkroi Sinani.

“Shumë të diplomuarëve shqiptarë në universitetet e Kosovës, shtetas të Republikës së Serbisë, nuk u njihen diplomat për rreth 16 vite me radhë. Ky është vetëm njëri prej problemeve që ndërlidhet me raportet Kosovë-Serbi. Shumë çështje që trajtohen në dialogun Kosovë-Serbi kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Luginën e Preshevës si rajon, e me shqiptarët e Serbisë në përgjithësi”, shtoi ajo.

Prandaj, ajo tha se “është kundërproduktive që në një proces normalizimi të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfshihet çështja e komunitetit joshumicë serb të Kosovës dhe jo edhe çështja e komunitetit joshumicë shqiptar në Serbi”.

“Harmonizimi i sotëm i standardeve të të drejtave të komuniteteve joshumicë midis dy vendeve dialoguese është në interes të paqes së nesërme midis tyre. E jo vetëm. Prandaj, z.Escobar dhe z.Lajçak, ju ftoj që të takoni edhe të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi. Për të na dëgjuar. Së paku”, shkroi këshilltarja e Kurtit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat