Spahiu thotë se interesi i Kosovës është zbatimi i marrëveshjes së Ohrit: Kurti po qet “kerefekte”

Aktuale

Spahiu thotë se interesi i Kosovës është zbatimi i marrëveshjes së Ohrit: Kurti po qet “kerefekte”

Më: 18 mars 2024 Në ora: 21:15
Nexhmedin Spahiu

Një vit më parë me 18 mars të vitit 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Por që në përvjetorin e kësaj marrëveshjeje kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka shprehur keqardhje që niveli i zbatimit të saj nga palët sipas tij, ka qenë i pakënaqshëm.

Derisa profesori universitarë, Nexhmedin Spahiu tha se është në interes të Kosovës zbatimi i kësaj marrëveshjeje, por që sipas tij, ai i cili po kërkon kushte shtesë është kryeministri, Albin Kurti.

“Interesi kombëtar i Kosovës është që kjo marrëveshje me u zbatu nuk varet veç prej neve , varet edhe prej Serbisë, varet më shumë prej Serbisë por në këtë rast ai i cili po qet kushte shtesë që po nxjerrë “kerefekte” në këtë marrëveshje, është kryeministri i Kosovës sepse po kërkon që marrëveshja me u nënshkru. Ndërmjetësit ndërkombëtarë e kanë pa të arsyeshme që me ia mundësu Vuçiqit si lehtësim mos me nënshkru marrëveshjen por me implementu”, tha Spahiu.

Derisa i pyetur se çka e garanton nënshkrimi zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit ai tha se Kosova nuk ka dobi prej nënshkrimit, por prej implementimit të marrëveshjes.

“Kurgjë nuk e garanton, nënshkrimi nuk e garanton edhe ne s’kemi kurfarë … ne kemi dobi prej implementimit të marrëveshjes nga ana e Vuçiqit. Nuk kemi dobi prej nënshkrimit, ai mundet me nënshkru dhe mos me zbatu”, tha më tej Spahiu.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka lënë fajtore Serbinë për moszbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, ku Bashkimi Evropian ka bërë fajtore Kosovën dhe Serbinë për moszbatim të marrëveshjes, Osmani, ka thënë se kur sheh veprimet e të dyja palëve e kupton që Serbia është ajo që nuk ka respektuar marrëveshjet.

Në anën tjetër kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha sot se zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Aneksin e saj Zbatues, është me rëndësi të madhe për ruajtjen e sigurisë.

Rama në platformën “X” tha se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse të proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.

Madje sipas Ramës, çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat