KMDLNj kërkon nga ZRrE-ja kompensimin e 40 milionë eurove në tre muajt e parë

Aktuale

KMDLNj kërkon nga ZRrE-ja kompensimin e 40 milionë eurove në tre muajt e parë

Më: 19 mars 2024 Në ora: 15:15
Foto ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriur (KMDLNj) propozon që kompensimi i mbi 40 milionë euroeve nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të bëhet për tre muaj, me para të gatshme duke përfshirë kamatat e rregullta bankare dhe ato ndëshkuese, shkallën e inflacionit dhe ngritjen e çmimeve.

Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vërtetuar vendimet e gjykatave tjera duke kërkuar që ZRrE t'ua kompensojë qytetarëve të Kosovës shumën prej 40 milionë eurove që në mënyrë të kundërligjashme janë faturuar në periudhën 2012 - 2017 për t'ua paguar rrymën qytetarëve të katër komunave në veri të Kosovës të cilët asnjëherë nuk e kanë paguar rrymën, që nga përfundimi i luftës, deri më sot.

ZRrE e ka pranuar këtë vendim por se nuk është deklaruar për mënyrën e kompensimit. Fillimisht bëhej fjalë për 100 milionë të vjedhura e që me alkiminë e këtij rregullatori zhvatës u zvogëlua në 40 milionë. Qeveria aktuale e Kosovës për këtë vendim e ka zgjedhur gjuhën e peshkut - të heshtjes ndonëse nuk ka lënë pa kritikuar vendimet tjera”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se ky kompensim do të mbikëqyrej nga një Komision parlamentar i udhëhequr nga opozita e tashme. “Mënyrat tjera të kompensimit përmes faturave në të ardhmën është legjitimim i vjedhjes sikur edhe krijim i mundësive tjera për vjedhje. Ministrja shpërdoruese e ndërlidhur me ZRrE - në Artane Rizvanolli deklaroi se këtë vit nuk do të ketë ngritje të çmimit të energjisë elektrike edhe ashtu më e shtrenjta në rajon dhe e përafërt me çmimet në vendet e BE - së. Menjëherë pas kësaj deklarate, ZRrE doli me informatë se në mars apo prill të këtij viti do të ketë shqyrtim të tarifave të energjisë elektrike. ZRrE po e bënë punën që më së miri dinë ta bëjë, rrjepjen e lëkurës së konsumatorëve përmes vjedhjes duke fryrë dhe ngritur çmimin e rrymës dhe duke diskriminuar qytetarët në baza etnike. KMDLNj- ë ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të hetojë ZRrE -në për faktin se të gjitha nivelet gjyqësore kanë vërtetuar se qytetarët janë dëmtuar - vjedhur nga ky Rregullator i kriminalizuar për së paku 40 milionë euro. Pas hetimeve, KMDLNj mendon se kjo shifër do të dali shumë më e lartë”.

Në reagim thuhet se për KMDLNj është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm mosreagimi i qytetarëve, si gjatë faturave me çmime shumë të larta dhe të papërballueshme muajve të fundit, ashtu edhe me ‘lojën e pingpongut për kompensim si dhe paralajmërim për shtrenjtim të radhës’.

Qytetarët e Kosovës, në vend se të marrin kredi me kamata shumë të larta për t'i paguar faturat e rrymës, më efektive dhe më pak e kushtueshme do të ishte të protestojnë në numër të madh para ZRrE dhe qeverisë në mënyrë që t'i realizojnë të drejtat e tyre që brutalisht po iu shkelen. Deri sa qytetarët të heshtin, loja e pistë e ZRrE do të vazhdojë”, thuhet në fund të reagimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat