Rreziku për tensione nga “Projekti 5000” i Serbisë

Aktuale

Rreziku për tensione nga “Projekti 5000” i Serbisë

Më: 19 mars 2024 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Serbia është duke planifikuar të rrisë numrin e forcave speciale ushtarake nga 1500 në 5000. E gjithë kjo, sipas një raporti të publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) po bëhet për qëllime operacionale ushtarake. Kurse ekspertët e sigurisë thonë se ky projekt paraqet kërcënim për vendin dhe rajonin.

Serbia është duke u përgatitur të fuqizojë më shumë ushtrinë e saj.

Vendi fqinj po shqyrton zgjerimin e forcave speciale ushtarake përmes “Projekti 5000”, ku pritet që numri i këtyre forcave nga 1500 sa është aktualisht të bëhet 5000.

Kjo u bë e ditur përmes një raporti të publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me titullin “’Çka është ’Projekti 5000’ i Serbisë dhe pse duhet të jemi të shqetësuar?”

Pika kryesore, sipas këtij raporti, është krijimi i Batalionit “Orlovi (Shqiponjat) “ në kuadër të Brigadës 72. Sipas burimeve të hapura të Qeverisë në Serbi, kjo fazë tashmë ka filluar në vitin 2023.

E deri në përfundimin e Projektit 5000, Serbia pritet të ketë numrin më të madh të forcave speciale në Ballkan.

E krejt këto përgatitje sipas raportit të Qendrës Kosovare për Studime të sigurisë po bëhen me një qëllim.

“Këto zhvillime japin një pamje të një vendi që po forcon në mënyrë aktive forcën e tij ushtarake dhe gatishmërinë operacionale. Veprime të tilla janë në kontrast të thellë me parimet e neutralitetit ushtarak. Divergjenca midis deklaratave zyrtare të Serbisë për neutralitet dhe përparimeve të saj të prekshme ushtarake sugjeron një mospërputhje midis politikës së deklaruar dhe strategjisë aktuale ushtarake”, thuhet në raport.

Mes tjerash në këtë raport thuhet se ‘Projekti 5000’, mund të kenë implikime të thella për sigurinë rajonale.

“Këto zhvillime mund të kontribuojnë në një dilemë sigurie në Ballkanin Perëndimor, ku vendet fqinje mund të ndjehen të detyruara të forcojnë aftësitë e tyre ushtarake si përgjigje, duke çuar potencialisht në një garë armatimi dhe tensione në rritje. Gara e armatimit midis Serbisë dhe Kroacisë – për shumëkënd – tashmë kjo po ndodh”, është thënë në raport.

Sipas njohësit të sigurisë, Nuredin Ibishi, ky projekt po bëhet për qëllime agresive.

Për qëllime të tij të njohura, agresive jo në kuptim të kapacitete mbrojtjes të territorit të vetë në raport me Kosovën por edhe në vendet tjera çfarë ajo ka pretendime në këtë rast edhe Republikën Serpska.

Kurse ish nënkoloneli policor, Refki Morina kërkon nga Bashkësia ndërkombëtare të marrë masa.

“Bashkësia Ndërkombëtare duhet të jetë më sy qelë, dhe të bëjë presion të njëmend nëse donë njëmend që në Ballkan të ketë një qetësi, përndryshe Serbia si satelit i Rusisë do të mundohet vazhdimisht që ta destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe Ballkanin dhe me gjerë”, tha ish nënkoloneli policor, Rfeki Morina.

Serbia, madje sipas këtij raporti, përveç riorganizimit të personalit njerëzor ka investuar edhe në industrinë e mbrojtjes, ku ka blerë pajisje të avancuara armatimi si helikopterë, avionë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore nga Rusia, Kina dhe disa vende evropiane.

Në raport, Qendra Kosovare për Studime të sigurisë, mes tjerash, kanë kërkuar nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës dhe Policia e Kosovës të shtojnë mjetet dhe censorët për të monitoruar situatën në veri të Kosovës, ndërsa policia kufitare të rrisë prezencën dhe patrullimet e saj përgjatë kufirit me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat