DASH-i kërkon që diskutimet për dinarin të vazhdojnë me urgjencë

Aktuale

DASH-i kërkon që diskutimet për dinarin të vazhdojnë me urgjencë

Më: 19 mars 2024 Në ora: 20:41
DASH

Departamenti Amerikan i Shtetit ka mirëpritur diskutimet që janë mbajtur sot në Bruksel  nga kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për çështjen e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.

Mirëpo DASH-i ka bërë thirrje që diskutimet të vazhdojnë me urgjencë.

“Këto janë bisedime që i mirëpresim, që po mbahen sot në Bruksel brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përfshirë diskutime për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Besojmë se këto diskutime duhet të vazhdojnë me urgjencë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është kanali adekuat për të zgjidhur këto çështje të ndërlidhura me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë zëvendës-zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel në konferencë për media.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, më herët ka folur për takimin e sotëm që u zhvillua në Bruksel.

Lajçaku, tha se me dy kryenegociatorët, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin, janë dakorduar që të hënën (më 25 mars) të takohen sërish në Bruksel.

“Prita dy kryenegociatorët për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe çështje të tjera, përfshirë ndikimin e vendimit në operacionet me para. Ne ramë dakord që të vazhdojmë me këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa Marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët”, ka shkruar Lajçak, në platformën X.

Kosova dhe Serbia, deri më 22 mars, do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve, tha kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi.

Bislimi tha se mund të ketë një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, për t’u deklaruar rreth Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve që u arrit vitin e kaluar.

Ai u tha gazetarëve se pala serbe konfirmoi se nuk është e gatshme ta zbatojë plotësisht atë.

Sipas Bislimit, kryenegociatori serb, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të Lajçakut, tha se marrëveshja me Kosovën “është problematike” për shkak të pjesës që ka të bëjë me statusin e Kosovës.

“Lajçak konstatoi se Serbia e ka problem të lëvizë në këtë drejtim dhe, rrjedhimisht, kjo do të duhej të diskutohej në një takim të ardhshëm me krerët e shteteve”, tha Bislimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat