Kosova sërish e kushtëzuar për në KiE

Aktuale

Kosova sërish e kushtëzuar për në KiE

Më: 19 mars 2024 Në ora: 20:50
Këshilli i Evropës

Pavarësisht vendimit për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, që ishte vënë si kusht kryesor nga Këshilli i Evropës, Kosova akoma nuk e ka të sigurt anëtarësimin në këtë organizatë ndërkombëtare.

Vetëm disa ditë më parë gjatë qëndrimit në Prishtinë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova i ka edhe disa kushte të tjera që duhet t’i plotësoj për të anëtarësuar në Këshill të Evropës.

Njëri nga kushtet siç bëri të ditur diplomati amerikan është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

E këtë qasje të komuniteti ndërkombëtar po e vlerëson si të padrejtë profesori universitar, Nexhmedin Spahiu.

“Është e vështirë parashikohet sepse votimi është një çështje diskrete, edhe nëse dikush ta premton votën nuk do të thotë se do ta mbaj fjalën. Megjithatë, kushtet që i ka paraqitur Escobar tregojnë se ai është i mllefosur me bisedat që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Të qitet kusht diçka që është pjesë e marrëveshjes, pjesë e një këmbimi mes Serbisë dhe Kosovës, kjo nuk është e drejtë. Nëse Kosova e zbaton asociacionin atëherë edhe Serbia sipas marrëveshjes duhet të hap përfaqësitë diplomatike në Prishtinë dhe në Beograd”, tha profesori, Nexhmedin Spahiu.

Ndërkohë edhe publicisti nga Beogradi, Dushan Janjiq, shprehet skeptik se Kosova do të anëtarësohet së shpejti në Këshill të Evropës.

Sipas tij, Kurti ka rënë në kurthin e Vuçiqit me situatën e krijuar në veri dhe se kjo do të ndikoj negativisht për Kosovën.

“Unë konsideroj se tani Kosova është në një pozitë më të vështirë në arenën ndërkombëtare sesa që ishte dy vite më parë. Komuniteti ndërkombëtar e sheh se serbët nuk po marrin pjesë në jetën institucionale dhe kjo natyrisht që e dëmton imazhin e shtetit të Kosovës, pavarësisht se si u krijuan këto rrethana. Aleksandar Vuçiq së bashku me Listën Serbe e krijuan këtë kaos në veri, por mënyra se si reagoi qeveria e Kosovës ishte gabim, prandaj mendoj se Kurti ra në kurthin e Vuçiqit”, u shpreh publicisti, Dushan Janjiq.

Tutje Janjiq thotë se Vuçiq po i shkel marrëveshjet e Brukselit, sepse po lobon kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Gjithashtu pavarësisht marrëveshjeve, Aleksandar Vuçiq ka vazhduar të loboj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Pra, në rrethanat aktuale do të jetë e vështirë për Kosovën të anëtarësohet në Këshill të Evropës”, deklaroi Janjiq.

Këshilli i Evropës përbëhet nga 46 anëtarë dhe pranimi në të bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat