Zyrtari i lartë amerikan sot në Kosovë - takohet veç me këtë politikan

Aktuale

Zyrtari i lartë amerikan sot në Kosovë - takohet veç me këtë politikan

Më: 20 mars 2024 Në ora: 08:18
Todd D. Robinson

Ndihmës Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson, do të vijë sot për vizitë dyditore në Prishtinë.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se Robinson do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe partnerët në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë, teksa në agjendë nuk është fare takimi me kryeministrin, Albin Kurti.

“Nga data 20-22 mars, Ndihmës Sekretari Robinson do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe me partnerët në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë”, njoftoi DASH.

Kujtojmë se zyrtari amerikan fillimisht u ndal në Tiranë, ku u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Ndryshe, kryeministri Kurti së fundi nuk ishte në agjendën e takimeve as të zyrtares së lartë amerikane të USAID-it, Erin E McKee, e cila në fillim të këtij muaji qëndroi në Kosovë për një vizitë zyrtare. Edhe ajo pati takim vetëm me Osmanin.

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar së fundmi ka folur për pasoja për Kosovën, për shkak të padëgjueshmërisë së Qeverisë ndaj kërkesave amerikane. Ai tha të premten se ka dy vjet që askush nga Qeveria s’ka pasur takime të nivelit të lartë me dikë nga administrata amerikane.

“Tani, pyetja nuk është nëse do të ketë masa, por, padyshim, ka pasoja. Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane”, tha Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, ka thënë Escobar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat