Tri ditë kohë për propozimet lidhur me dinarin - çfarë pritet të ndodhë javën tjetër në Bruksel?

Aktuale

Tri ditë kohë për propozimet lidhur me dinarin - çfarë pritet të ndodhë javën tjetër në Bruksel?

Më: 20 mars 2024 Në ora: 10:17
Pamje nga takimi i djeshëm në Bruksel

Kosova dhe Serbia, deri më 22 mars, do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve, tha kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi.

Ai dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.

“Jemi pajtuar që me këtë çështje të vazhdojmë të hënën e ardhshme”, shkroi Lajçak në platformën X.

Ishte hera e parë që zyrtarë të Qeverisë së Kosovës morën pjesë në bisedime të tilla, prej se Kosova, me një rregullore të Bankës Qendrore që hyri në fuqi më 1 shkurt, ndaloi përdorimin e dinarit serb, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.

Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Çka u tha tjetër në Bruksel?

Petkoviq tha se gjëja e parë për të cilën këmbënguli pala serbe, ishte themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse kjo, sipas tij, “do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha institucioneve serbe në Kosovë”.

Petkoviq tha se është gjithashtu e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje, e cila do të mundësonte vazhdimin e funksionimit të bankës së Serbisë në Kosovë, Kursimorja e Postës.

Ai shtoi se pret që bisedimet të vazhdojnë “në frymë konstruktive”.

Petkoviq tha, po ashtu, se bashkëbiseduesi i tij nga Prishtina ka insistuar gjatë gjithë kohës për një lloj formalizimi të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Por, delegacioni serb, sipas tij, ka folur për domosdoshmërinë e themelimit të Asociacionit, sepse marrëveshja për të, kujtoi ai, është nënshkruar tashmë edhe nga Beogradi, edhe nga Prishtina, ashtu si edhe nga BE-ja.

Bislimi tha se mund të ketë një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, për t’u deklaruar rreth Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve që u arrit vitin e kaluar.

Ai u tha gazetarëve se pala serbe konfirmoi se nuk është e gatshme ta zbatojë plotësisht atë.

Sipas Bislimit, kryenegociatori serb, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të Lajçakut, tha se marrëveshja me Kosovën “është problematike” për shkak të pjesës që ka të bëjë me statusin e Kosovës.

“Lajçak konstatoi se Serbia e ka problem të lëvizë në këtë drejtim dhe, rrjedhimisht, kjo do të duhej të diskutohej në një takim të ardhshëm me krerët e shteteve”, tha Bislimi.

Në postimin në X, Lajçak konfirmoi shkurtimisht se marrëveshja do të duhej të adresohej nga udhëheqësit.

Një ditë më herët, Bashkimi Evropian paralajmëroi se do të shtojë trysninë mbi të dyja vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel.

Në mars të po atij viti, në Ohër, u ra dakord edhe për aneksin e zbatimit, por palët nuk bënë shumë hapa në praktikë.

Marrëveshja, mes tjerash, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore, si dhe respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale.

Marrëveshja kërkon po ashtu nga palët që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Sipas saj, palët duhet t’i zbatojnë edhe marrëveshjet e arritura më herët në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – proces ky i nisur qysh në vitin 2011.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat