​Kurti në trevjetorin e qeverisjes: Kemi shënuar rezultate për të cilat jemi krenarë dhe ballëhapur

Aktuale

​Kurti në trevjetorin e qeverisjes: Kemi shënuar rezultate për të cilat jemi krenarë dhe ballëhapur

Më: 22 mars 2024 Në ora: 16:13
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka numëruar sukseset dhe sfidat në tre vjetorin e qeverisjes së tij. Kurti për këto tri vjet tha se kanë shënuar rezultate në ekonomi, punësim, shëndetësi dhe ushtri, për çka shtoi se janë krenar dhe ballëhapur.

Ai në një paraqitje publike bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati përmendi edhe sfidat me të cilat është përballur vendi përgjatë këtyre tri viteve. Kurti përmendi sulmin 24 shtator në Banjskë.

Kurti: Kemi shënuar rezultate për të cilat jemi krenarë dhe ballëhapur

“Po i mbushim tre vjet qeverisje dhe kemi shënuar rezultate për të cilat jemi krenar dhe ballëhapur. Punësimi është më i lartë seç ka qenë ndonjëherë, kemi dyfish më shumë të rinj të punësuar në treg të punës, mbi 30 mijë gra më shumë kanë vende punë përmes masave dhe mbështetjes sonë direkte. Në këtë mes ka edhe formalizim të punësimit, por formalizimi i ekonomisë është përpjekje vazhdueshme e qeverive dhe kur ajo ndodh është po ashtu sukses i Qeverisë. E kemi zbutur hendekun e raportit eksport-import, sepse kemi nxitur dhe kemi përkrahur ekonominë vendore, nga një me nëntë sa ishte, tash është një më gjashtë. Gjatë kësaj kohe qarkullimi i bizneseve është rritur nga 12.5 miliardë sa ishte në vitin 2019, në 11.76 miliardë në vitin 2023, pra ngritje prej 57 për qind. Ka më shumë sundim të ligjit, korrupsioni po luftohet, eliminimi tij varet nga prokuroria dhe gjyqësori”, tha Kurti.

Ai theksoi se si qeveri duan t’i shërbejmë gjithë qytetarëve pa dallim, por duke mos toleruar askënd që të shkel ligjin. Kurti përmendi po ashtu se Kosova ka pasur pakon më të madhe mbështetëse në rajonin e Ballkanit për qytetarët në ballafaqim me inflacionin dhe krizën energjetike.

Kurti: Kemi kaluar edhe në vështirësi, sfida e telashe

“Edi që gjatë kësaj kohe kemi kaluar edhe në vështirësi, sfida e telashe të shumta, në përballje me secilën prej tyre, si qeveri në mendje kemi pasur interesin më të mirë të vendit, e publikut në Republikë, e në qendër shërbimin ndaj tij dhe ndaj juve. Kosova ka pasur pakon më të madhe mbështetëse në rajonin e Ballkanit për qytetarët në ballafaqim me inflacionin dhe krizën energjetike si për qindje e Bruto Produktit Vendor sipas raportit të Bankës Botërore. Jam i bindur që kemi dalë e do të dalim më të fortë e më të përgatitur. Mos të harrojmë që jemi sulmuar në veri të vendit para gjashtë muajsh dhe ndajmë një kufi të gjatë me terrenet e vështira kodrinore malore, me një shtet fqinj me regjim autorktaik e përherë më agresiv. Elementet e krimit të organizuar që financohen nga fqinji ynë verior të shndërruar me parlamentar terrorist të dielën e 24 shtatorit ikën me vrap malit tatpjete duke i lënë shokët e tyre mercenarë, të vrarë e të plagosur. Ne duam t’i shërbejmë gjithë qytetarëve pa dallim, që d.m.th se nuk mund të tolerojmë askënd që shkel ligjin, bie ndesh me Kushtetutën dhe synon përfitimin nga krimi. Gjithmonë mund të bëhet më shumë, e shpesh ka gjëra që kanë mundur të jenë edhe më shpejtë. Ne thelb, është vendosmëria për të ecur përpara, e për të shërbyer pavarësisht pengesave”, tha Kurti.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se për gjatë këtyre tri vjetëve sa i përket Bruto Prodhimit Vendor, ka rritje gati 3 miliardë euro.

Murati: GDP ka qenë në nivelin 6.7 miliardë euro, për vitin 2023 ka arritur nivelin 9.6 miliardë euro

“Që nga dita parë jemi ballafaquar me sfida të jashtëzakonshme, sepse nuk ka qenë e zakonshme të ketë pandemi që ndodh njëherë në 100 vite, s’ka qenë e jashtëzakonshme të ketë luftë në territorin e Evropës me këto përmasa dhe të shkaktojë rritje të kostos së jetesës. Po ashtu kemi pasimin edhe me ngritje të normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane si rezultat i shkallës së lartë të inflacionit. Të gjitha këto kanë ndodhë në këto tre vite dhe janë të gjitha sfida të cilat kanë arritur që të jenë sfida kogja të renda edhe për shtetet shumë më të konsoliduara e zhvilluara ekonomikisht...Nëse shohim gjatë këtyre tre viteve zhvillimet sa i përket Bruto Prodhimit Vendor, kur e kemi marrë qeverisjen GDP ka qenë në nivelin 6.7 miliard euro, kurse tash për vitin 2023 ka arritur nivelin prej 9.6 miliard euro, pra kemi gati 3 miliard euro shtim. Në qeverisjet e kaluara është dashur tre vite për të ja shtuar ekonomisë një miliard”, tha Murati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat