Vuçiq me gjuhën e shantazhit: Nëse pranohet Kosova, Serbia do të tërhiqet nga Këshilli i Evropës

Aktuale

Vuçiq me gjuhën e shantazhit: Nëse pranohet Kosova, Serbia do të tërhiqet nga Këshilli i Evropës

Më: 22 mars 2024 Në ora: 22:15
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se dalja e Serbisë nga Këshilli i Evropës (KiE) është një nga mundësitë në rast se Kosova pranohet në atë organizatë ndërkombëtare.

Ju shkoni me këtë dhe pastaj do të shohim nëse Serbia do të qëndrojë në Këshillin e Evropës apo jo”, tha Vuçiq për TV Prva, pasi KiE konfirmoi se kandidatura e Kosovës do të jetë në agjendë në fund të marsit.

I pyetur nëse  kjo është një nga opsionet që nëse Kosova pranohet në Këshillin e Evropës, Vuçiq edhe një herë konfirmoi se sigurisht që është “një nga mundësitë”.

“Këtë nuk do ta zbuloni para se ta bëni këtë (pranoni Kosovën në Këshillin e Evropës), kështu që do të shohim. Do të shohim, ndoshta do t’ju pëlqejë më shumë ta keni Prishtinën (Kosovën) në Këshillin e Evropës, sesa Beogradin dhe Serbinë”, tha ai.

“Ky do të ishte de facto dëbimi i Serbisë… Ne gjithmonë kemi pasur qëndrim liridashës”, tha presidenti serb.

Kujtojmë se Këshilli i Evropës ka konfirmuar se më 27 mars, në mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare, në rend dite do të jetë raporti për Kosovën.

Kandidatura e Prishtinës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është pranuar në seancën e 24 prillit të vitit të kaluar. Në atë kohë, kandidaturën e Prishtinës e përkrahën 33 nga gjithsej 46 shtete anëtare të KE-së. Shtatë vende ishin kundër, pesë abstenuan, ndërsa vetëm një nuk votoi.

Vuçiq gjithashtu tha të premten se Serbia “nuk është duke u përgatitur për luftë” me Kosovën, pas pretendimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se shteti serb e dërgoi ushtrinë e vet “disa metra” afër kufirit me vendin fqinj të enjten.

“Serbia nuk do të futet në luftë, do ta presë momentin për veprimin e saj politik”, tha Vuçiq për televizionin serb, TV Pink të premten.

Të enjten pak para mesnatës, Kurti tha se “njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën” dhe publikoi, siç pretendoi, pamje të tyre.

Vuçiq tha se ato pamje “janë nga zona e sigurisë tokësore”.

“Kurti dëshiron që të ndodhë diçka që SHBA-ja të ndërhyjë kundër Serbisë”, tha Vuçiq.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra.

Më herët gjatë ditës, Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Shtetet e Bashkuara janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se ia kanë bërë me dije Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat