Haradinaj në Gllogjan: Kishim dy herë frikë, por s’e lëshuam këtë tokë asnjë ditë të luftës – nisja e bombardimeve, dita që na rilindi

Aktuale

Haradinaj në Gllogjan: Kishim dy herë frikë, por s’e lëshuam këtë tokë asnjë ditë të luftës – nisja e bombardimeve, dita që na rilindi

Më: 24 mars 2024 Në ora: 13:44
Ramush Haradinaj

Haradinaj në Gllogjan: Kishim dy herë frikë, por s’e lëshuam këtë tokë asnjë ditë të luftës – nisja e bombardimeve, dita që na rilindi

Kryetari i AAK-së, ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj tha se 26 vjet më parë u dërgua porosia se “shqiptarët do të luftojnë” dhe se “do ta fitojnë luftën”.

Në ceremoninë e shënimit të Epopesë së Dukagjinit, ditës që njihet si nisja e luftës frontale të UÇK-së dhe frocave serbe në këtë zonë, Haradinaj tha se “Gllogjani ndodhi për shkak të Prekazit”, duke iu referuar betejës 26 vjet më parë.

“Nga dita e betejës në Prekaz, u mobilizuam Dukagjini të gjithë, në një përgjigje me luftë, me zjarr, me sulme, pas asaj që ndodhi në Prekaz. Kuptohet, edhe frikën e kishim, për shkak se ishte në pyetje rrjedha e luftës, jo veç çka do të ndodhte, nëse do të sulmoheshim në, a do të vriteshim të gjithë ne, por çfarë do të ndodhte me luftën. Pra, keni parasysh, dy herë frikë. Një herë për jetën e secilit, e dyta për fatin e luftës sonë. Ka dashtë Zoti atë ditë që po, janë vra do djem të mirë që i kujtojmë sot, djem të zotë, por nuk u vra lufta atë ditë. Pra kjo është me rëndësi në fund të ditës. Këtu në këtë vend, në këtë truall kanë mbetur shqiptarët, e kanë ikur forcat e Millosheviqit. Kjo është e vërteta e kësaj dite”, tha Haradinaj.

“Krejt familja, krejt ata që mujtën me luftu atë ditë, kanë të drejtë me qenë krenar përjetësisht, sepse nga ajo ditë u çu një porosi që shqiptarët do të luftojnë, do ta fitojnë luftën, e kjo ndodhi këtu”, tha ndër tjerash ish-komandanti i UÇK-së.

Haradinaj kujtoi se “lufta ishte e vështirë, e rëndë”. Në nisjen e bombardimeve, ai tha se “nuk ka pasur ditë më të gëzueme, ditë më të mirë e ditë më të lumtur sesa ajo ditë”. Atë ditë, ai e përshkruan si ditën “që edhe njëherë na ka rilindë neve shqiptarëve”.

“Nuk e kemi lëshu këtë tokë asnjë ditë të luftës. Forcat e Millosheviqit i kanë ra në shumë drejtime, po kurrë një herë kjo tokë s’ka qenë pa ne, pa UÇK-në. Pra, asnjë ditë të lume të luftës. Më 24 mars ’99, Millosheviqi e mori atë që i takonte, atë që ua kishte bërë shumë familjeve shqiptare: atë që e bëri në Qirez, Likoshan, atë që e bëri në Prekaz, në Gllogjan, në Meje”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat