Abazoviq apelon Kosovën e Serbinë për zgjidhje: S’mund të presim edhe 20 vjet tjera

Aktuale

Abazoviq apelon Kosovën e Serbinë për zgjidhje: S’mund të presim edhe 20 vjet tjera

Më: 29 mars 2024 Në ora: 08:34
Dritan Abazoviq

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka folur për mungesën e rezultateve konkrete në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Abazoviq ka bërë një apel për të dyja palët që të ulen së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje për të ardhmen e njerëzve që e shohin të ardhmen në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“I kemi humbur 20 vite, nuk mund të presim edhe 20 të tjera, por duhet të jemi konkretë. Unë e mbështes gjetjen e marrëveshjes përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës dhe i ftoj të dyja palët, qeveritë, udhëheqësit të ulen së bashku dhe të gjejnë zgjidhjen për të ardhmen e atyre njerëzve që jetën e tyre e shohin në rajon”, ka thënë Abazoviq.

Sa i takon procesit të rëndësishëm zgjedhor në të cilin do të përfshihet Bashkimi Evropian, Abazoviq u shpreh se një triumf i ekstremit të djathtë nuk do të ndihmonte zgjerimin e bllokut evropian.

Ai po ashtu ka folur edhe për votën kundër Kosovës të deputetes së Malit të Zi në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, duke thënë se kjo reflekton realitetin e ri të shumicës në këtë shtet.

“Gjatë mandatit tim, ne e mbështetëm tërësisht Kosovën. Por ky është realiteti i ri. Kjo ndodh sepse shumica është krijuar me parti që nuk ndajnë të njëjtin vizion, programe dhe vlera. Ata mendojnë se kjo mund të funksionojë, unë them të kundërtën”, ka thënë Abazoviq.

Ndryshe, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës të mërkurën ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Bëhet e ditur se dy vota kundër ishin të deputetëve të Serbisë, kurse nga një votë kundër ishte nga deputetët e Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi, kurse deputeti i Greqisë, Aleksis Cipras ka abstenuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat