Gashi: Lista Serbe do të vijë në pushtet në veri, është çështje e përfunduar

Aktuale

Gashi: Lista Serbe do të vijë në pushtet në veri, është çështje e përfunduar

Më: 30 mars 2024 Në ora: 00:15
Ish-zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim, Milazim Gashi

Ish-zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim, Milazim Gashi ka thënë se Lista Serbe do të vijë në pushtet, përsëri në komunat veriore.

Ai në emisionin “Info Nata” tha se kjo është çështje e përfunduar dhe sipas tij, do të jetë boomerang për Qeverinë Kurti.

“Lista Serbe do të vijë komplet në pushtet në veri, është çështje e përfunduar ajo. Ne nuk kemi munduar asnjë subjekt politik serbë ta fusim në garë me Listën Serbe. Kjo ka me ju kthy boomerang Qeverisë Kurti, në mënyrë absolute”, ka thënë ai.

Ai tha se serbët do të dalin masivisht në referendum.

“Referendumin serbët do ta organizojnë në mënyrë masive edhe në sistemin tashmë online, qysh e kanë mundësinë ligjore faktikisht. Ata do të dalin në referendum. Z.Kurti do të ballafaqohet në momentin e ardhjes në pushtet të kryetarit të ri serb".

Me tetë vota për dhe dy abstenime, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve votuan rekomandimin që më 21 prill të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës.

Ky rekomandim erdhi nga Sekretariati i KQZ-së, pasi verifikoi nënshkrimet e dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.

Sipas Sekretariatit, në këto katër komuna është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve të kërkuara nga numri i përgjithshëm të votuesve, në mënyrë që të votohet për largimin e udhëheqësve komunalë.

Sipas udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Peticioni është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet e prillit të vitit 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat