Punëtorët kërkojnë zhbllokimin e llogarive të Telekomit që t`u dalin pagat

Aktuale

Punëtorët kërkojnë zhbllokimin e llogarive të Telekomit që t`u dalin pagat

Më: 2 prill 2024 Në ora: 13:41
Foto ilustrim

Ka përfunduar e qetë protesta e sotme e punëtorëve të Telekomit të Kosovës, të cilët po kërkojnë debllokimin e xhirollogarive të kësaj kompanie, në mënyrë që punëtorët të kenë mundësinë të marrin pagat.

Sindikalistët kanë bërë të ditur se në protestën e sotme kanë marrë pjesë vetëm një pjesë e punëtorëve dhe kryesisht ata që kanë qenë të lirë, pasi nuk kanë dashur të dëmtojnë procesin e punës.

“Arsyeja e thirrjes së protestës në kohë të pauzës e ka një domethënie, sepse ne nuk kemi dashur që në protestën e parë t’i mbledhim të gjithë punëtorët, pasi nuk kemi dashur ta pengojmë procesin e punës. Kjo është vetëm një pjesë e punëtorëve që janë brenda pauzës”, ka theksuar kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lami Balaj.

Ai tutje ka bërë të ditur kërkesat e tyre, siç janë debllokimi i llogarive, të cilat janë të bllokuara që nga 29 shkurti nga një përmbarues privat, ndonëse sipas tij shkalla e dytë e gjykatës ka marrë një vendim në favor të Telekomit.

Ai ka kërkuar Shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale që të marrë një vendim sa më të shpejtë lidhur me këtë  çështje.

“Besojmë se do të marrin vendim pozitiv dhe nuk do të na lënë pa paga. Këta punëtorë punojnë për paga dhe të gjithë kemi familje dhe 90 përqind jemi edhe në kredi”, ka shtuar ai.

Si kërkesë tjetër ai ka përmendur hetimet që duhet t’i kryejë prokuroria në Telekom për siç tha ‘krimin e organizuar në vazhdimësi’.

“Kërkesa jonë tjetër është që prokuroria e shtetit të mos rrijë në gjumë, sepse nuk i kemi bërë thirrje prokurorisë vetëm sa për sy e faqe. Telekomi është shkatërruar nga krimi i organizuar dhe nga kontratat e dëmshme, të cilat janë nënshkruar në vazhdimësi. Përgjegjësinë për këto kontrata e kanë pasur qeveria dhe parlamenti në vazhdimësi që kanë qenë, sepse qeveritë kanë qenë ato që kanë menaxhuar me Telekomin. Ata njerëz që kanë menaxhuar këtu kanë qenë të emëruar  nga Qeveria e Kosovës”, ka shtuar Balaj.

Ai u ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që t’i bëjnë presion prokurorisë për të hetuar kontratat në Telekom ndër vite.

Punëtorët e Telekomit kanë mbetur pa paga që nga 29 shkurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat