Elshani: Situata në veri është e qetë, grafitet e shfaqura në veri janë të vjetra

Aktuale

Elshani: Situata në veri është e qetë, grafitet e shfaqura në veri janë të vjetra

Më: 2 prill 2024 Në ora: 18:09
Veton Elshani

Grafite të reja serbe janë parë në qytetin e Zveçanit të martën me shkrimin “24.09”, duke iu referuar sulmit në Banjskë.

Lidhur me këtë, Veton Elshani, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, konsideron që të njëjtat janë grafite të vjetra.

Elshani tha se situata e sigurisë në veri vazhdon të jetë e qetë.

“Konsiderojmë që ato janë të vjetra të cilat veç kanë qenë aty, por nuk është çudi që të kemi ndonjë shkrim tjetër në ditët në vijim apo ndonjë që nuk e kemi parë ende, për ne është me rëndësi që situata e sigurisë të jetë e qetë dhe ne të jemi vigjilentë në kryerjen e detyrave tona dhe të ofrojmë shërbime ndaj qytetarëve të vendit ashtu siç e parasheh ligji”, u shpreh ai.

Elshani potencoi se Policia e Kosovës është e gatshme të reagojë në çdo kohë në rast të ndonjë veprimtarie kriminale siç ishte rasti i sulmit terrorist në Banjskë.

“Situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë, Banjska ishte një ngjarje që e ka ndryshuar realitetin në veri… mirëpo nuk kemi diçka për të theksuar. Ajo që është me rëndësi të thuhet është që policia është vigjilente në çdo moment, në çdo kohë të reagojë në rast se diçka e tillë si Banjska apo ndonjë veprimtari tjetër kriminale. Ne i pranojmë shumë informacione, shumica janë të rreme, dezinformata. Secilin informacion e trajtojmë me kujdes, pranojmë informata të ndryshme, kemi komunikim të mirë me partnerë, në përgjithësi jemi duke e kryer punën tonë, në ndërkohë po trajnohemi lidhur me pajisjet që i kemi”, shtoi më tej ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat