Konjufca takoi kryetarin Bertrand Bouyx, flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Aktuale

Konjufca takoi kryetarin Bertrand Bouyx, flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Më: 2 prill 2024 Në ora: 21:17
Foto nga takimi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë së KiE-së, që është njëherazi edhe deputet, si dhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Francës, z. Bertrand Bouyx.

Sipas komunikatës së Kuvendit, kryetari Konjufca dhe z. Bouyx diskutuan për votimin e 27 marsit, ku u miratua raporti që rekomandon se Republika e Kosovës duhet të ftohet të bëhet shtet anëtar në Këshillin e Evropës.

Kryetari Konjufca e falënderoi z. Bouyx për punën e tij dhe për mbështetjen e Francës si shtet partner, duke i shprehur mirënjohje për angazhimin që kjo fazë e parë për antarësimin e Kosovës në KiE të kalohej me sukses.

“Të dy u pajtuan se është e rëndësishme që të vijojë puna dhe angazhimi deri në përfundim të plotë të këtij procesi, së bashku me shtetet mike, pas të cilit Republikës së Kosovës i hapet rruga për arritje edhe më të mëdha në drejtim të ruajtjes, mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të njeriut në vendin tonë. Kryetari Konjufca u shpreh se mekanizmat dhe institucionet e shtuar në disponim për Kosovën, siç është edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, do t’ia rrisin edhe më tej punën dhe rezultatin pozitiv vendit tonë në gamën e vlerave të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Anëtarësimi në KiE nuk është përfundim, por fillim i një angazhimi edhe më të madh në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, kryetari Konjufca u shpreh edhe rreth vendimit për Manastirin e Deçanit. Ai tha se ky ishte një vendim i vështirë, dhe pikërisht kjo tregon vendosmërinë e Kosovës për shtet ligjor.

Z. Bouyx e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe shprehu mbështetjen e tij për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duke qenë shumë optimist se ky proces do të përfundojë me sukses.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat