Haradinaj: Qeverisja e Kurtit e varfëroi vendin – njerëzit po largohen përditë

Aktuale

Haradinaj: Qeverisja e Kurtit e varfëroi vendin – njerëzit po largohen përditë

Më: 2 prill 2024 Në ora: 23:15
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Kurti i është rikthyer gjuhës së tij të mashtrimit ashtu siç ka bërë para zgjedhjeve të fundit nacionale.

Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Kurti i ka mashtruar qytetarët për rrymë, bukë, sheqer e vaj, ndërsa si kryeministër e varfëroi vendin dhe i bëri njerëzit të largohen.

“Gjuha e sotme e Albin Kurtit, është ajo gjuha e tij e mashtrimit e para zgjedhjeve të fundit. Edhe atëherë i mashtronte qytetarët se sa do të lirohet vaji, sheqeri, buka, rryma e se si do të bënte çudi për mirëqenien e popullit, por nën qeverisjen e tij, Kosova u bë një vend i varfër e me njerëz që largohen përditë prej tij”, ka thënë Haradinaj.

Sipas Haradinajt, Kurti mashtron kur thotë se qeveria e drejtuar nga ai ka pasur pakon më të madhe mbështetëse në Ballkan për qytetarët e Kosovës.

“Edhe sot mashtron se si qeveria e tij e paska pasur pakon më të madhe mbështetëse për qytetarët në Ballkan, gjë që është mashtrim ordiner. I përmend ndihmat sociale prej 100 eurove si sukses të madh, e nuk i përmend pagat më të ulëta në Ballkan. E përmend subvencionimin e rrymës, e nuk thotë se rritja e çmimit të energjisë është shumëfishuar nën qeverisjen e tij. E përmend përballjen me inflacionin, por nuk thotë se çmimet e artikujve elementar të jetesës janë bërë të papërballueshëm edhe për familjet me nga 2 e 3 të punësuar”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se me qeverisjen e Kurtit, të gjithë në Kosovë kanë mbetur mbrapa.

“Fjalët e bukura se shoqëria përparon kur askush nuk mbetet mbrapa, janë në shpërputhje me realitetin që po e jetojmë. Në Kosovë sot të gjithë kanë mbetur mbrapa. Kjo është e vërteta e jo mashtrimet që kryeministri i ka në diskursin e tij, por që ato marrin përmasa neveritëse në prag të zgjedhjeve!”, ka përfunduar Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat