Deputeti i PDK-së ia përmend Nagavcit “një banesë në Durrës”, reagon Konjufca

Aktuale

Deputeti i PDK-së ia përmend Nagavcit “një banesë në Durrës”, reagon Konjufca

Më: 4 prill 2024 Në ora: 13:41
Arbërie Nagavci

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu e ka akuzuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për lidhje me shtëpinë botuese Albas.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën po shqyrtohet propozimi për themelimin e Komisionit Hetimor për subvencionimin për blerjen e librave, Haxhiu e akuzoi Nagavcin edhe për një banesë në Durrës.

“Po shpresoj shumë që ministrja është e sinqertë kur po thotë se e mbështet themelimin e Komisionit Hetimor. Ky komision ka me e zbardh lidhjen e ministres Nagavci me kompaninë Albas. Arbërie Nagavci ka deklaruar në vitin 2020 në deklarimin e pasurisë, të ardhura nga shtëpia botuese Albas. Në tetor të vitit 2021, kjo shtëpi botuese ka përfituar nga Ministria e Arsimit që udhëheq ministrja Nagavci 1.2 milion euro. Nashta këtu TVSH-ja ka shkuar në banesën në Durrës, por e rëndësishme është të zbardhen të gjitha dyshimet të cilat janë”, tha ai.

Ndërkaq, ministrja tha se nuk ka banesë në Durrës.

“Banesë në Durrës do të doja të kisha por nuk kam. Ndoshta ju keni shumë banesa, ju kanë përzi, por unë nuk kam.. ndoshta blej edhe unë një ditë”, u përgjigj Nagavci.

Debati për banesën në Durrës ngjalli reagimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili e sugjeroi  deputetin e PDK-së që këto akuza t’i bëjë jashtë Kuvendit.

“Me këto banesa të Durrësit mos e ngarkoni foltoren e Kuvendit, nëse keni fakte a diçka se.. ma mirë është kur te kaloni hapësirën e Kuvendit, atje nuk keni imunitet, me i thënë në media. Pastaj, janë gjykatat e këto të tjerat”, ka thënë Konjufca. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat