Krasniqi: S’kemi vija të kuqe për koalicion, por nuk shohim koalicion me VV-në

Aktuale

Krasniqi: S’kemi vija të kuqe për koalicion, por nuk shohim koalicion me VV-në

Më: 11 prill 2024 Në ora: 23:42
Lideri i PDK-së Memli Krasniqi

Lideri i PDK-së Memli Krasniqi,  tha se subjekti që ai udhëheq nuk vendos vija të kuqe për askënd në koalicion pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Por nuk kemi preference , nuk e shoh një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen. Hendeku është i madh. Dallimet janë të mëdha, jo vetëm për të kaluarën, por edhe vizioni për të ardhmen dallon shumë”, tha Krasniqi.

Ai tha se nuk mund të ketë partneritet me një parti e cila sipas tij e ka sjellë situatën për Kosovën ku partnerët ndërkombëtarë “flasin me hidhërim ku askush në BE nuk na përmend” .

Krasniqi i madje tha se qasja e kësaj qeverie me SHBA-në ka qenë e rrezikshme.

“Ky kryeministër sekretarit të SHBA-së, nja dy – tri herë brenda viti me i thënë jo me qenë kryeministër i Iranit është pak problem e lëre me qenë kryeministër i një shteti si Kosova që ekzistencën përveç sakrificës së luftës edhe vuajtjes, duhet me ia dediku edhe ndihmës së SHBA-së dhe NATO-s”, tha ai, për RTV21.

Ai po ashtu përmendi edhe deklaratën e O’Brien për Kosovën.

Krasniqi u shpreh i bindur se kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza do ta fitojë këtë post në zgjedhjet nacionale.

“Ne jemi alternative e Vetëvendosjes për shumë gjëra, e para e punës, sot qytetari i Kosovës ka siguri … Për tri vjet kemi pasur një qeveri që sa herë je çu në mëngjes si qytetar është dashur me prit se çka po ndodh ndonjë befasi. A ka krizë, tension, prishje të raportet, prej raportet me Shqipëri, me Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

Lideri i PDK-së është shprehur i bindur se gara për vendin e parë në zgjedhjet nacionale do të jetë mes Vetëvendosjes dhe PDK-së.

“Jam i bindur 100 për qind se ditët që do të shpallen zgjedhjet janë ditët e fundit të numërimi prapë për Albin Kurtin”.

“Nuk besoj se Kurti mund të bëhet kryeministër, nuk di me kënd do të bëjë koalicion”, shtoi Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat