KQZ: Janë hapur të gjitha qendrat e votimit në veri

Aktuale

KQZ: Janë hapur të gjitha qendrat e votimit në veri

Më: 21 prill 2024 Në ora: 08:14
Valmir Elezi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e parë për sot ku ka shpalosur informacione në lidhje me procesin e votimit për apo kundër shkarkimit të kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës.

 "Duke u mbështetur në të dhënat që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, ju njoftojmë se janë hapur të gjitha qendrat e votimit. Edhe sipas njoftimeve të mëhershme të KQZ-së, numri i Qendrave të Votimit në komunën e Leposaviqit është 8, në Zubin Potok 5, në Zveçan 5 dhe në Mitrovicën e Veriut 5.

Në përgjithësi, numri i Qendrave të Votimit në këto katër komuna është 23, me gjithsej 63 vendvotime. Numri i qytetarëve me të drejtë vote për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut është 46,556 votues", tha zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi.

Në emër të KQZ-së, Elezi ftoi të gjithë qytetarët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe të deklarohen nëse janë për apo kundër largimit nga funksioni të kryetarit të komunës së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat