Akuzohen për krime lufte, përfundon rigjykimi i Sylejman Selimit e Jahir Demakut

Aktuale

Akuzohen për krime lufte, përfundon rigjykimi i Sylejman Selimit e Jahir Demakut

Më: 22 prill 2024 Në ora: 21:23
Sylejman Selimi e Jahir Demaku

Në Gjykatën e Prishtinës ka prekur fundin rigjykimi i Sylejman Selimit, i cili akuzohet se si pjesëtar i UÇK-së ka kryer krime lufte kundër popullatës civile dhe atë në bashkëkryerje me të akuzuarin tjetër, Jahir Demaku, duke cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi të paidentifikuar nga lagjja Shipol e Mitrovicës.

Në seancën e 22.04.2024 u dhanë fjalët përfundimtare për këtë procedurë të rigjykimit.

Gjatë kësaj seance fjalën e morën edhe vetë të akuzuarit Selimi e Demaku.

Sylejman Selimi e quajti të turpshme ardhjen në Gjykatë për akuzat që i janë bërë nga “Dëshmitari A”, dëshmitari i vetëm në këtë proces gjyqësor.

“Më komike dhe më fyese se me thënë e ka rrehë një person se nuk i ka shitë dele UÇK – së, a ka ma turp për këtë proces? Është turp me ardhë në këtë gjykatore, me ardhë për këtë, edhe me thënë që unë e paskna rreh një person në kohën, në ofensivën, në kohën më të vështirë që e kam pasur të mundshme, edhe me shku me rreh një person, për çka? se nuk i ka shitë dele UÇK-së”- tha Selimi.

Kurse i akuzuari Demaku tha se procesi ndaj tij është shpikje e gënjeshtër e të njëjtit dëshmitar.

“Pas më shumë se një dekadë është e pakuptuar dhe e çuditshme se si mund të akuzohem për diçka që kurrë nuk ka ndodhë, ku dihet botërisht se nuk ekziston as vepra dhe as personi. Është vetëm një shpikje, gënjeshtër e ‘Dëshmitarit A’, i cili ishte instrument në funksion të një procesi të manipuluar” – tha Demaku.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja e Prokurorisë Speciale, Florije Shamolli, kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

“Në mënyrë të qartë u vërtetua se dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen andaj i propozoj Gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë me dënim sipas ligjit“ – tha prokurorja.

Ndërkaq mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar lirimin e të akuzuarve.

Avokati Artan Qerkini, mbrojtës i të akuzuarit Sylejman Selimi, e cilësoi deklaratën e “Dëshmitarit A” si të pabesueshme dhe ceku se deklarata e tillë nuk është bazuar në asnjë dëshmitar apo provë tjetër.

Tutje, edhe avokati i të akuzuarit Jahir Demaku ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet në mungesë të provave.

“Në mungesë të provave propozoj që Jahiri të lirohet nga aktakuza” – tha avokati Mexhid Syla.

Rasti po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i kryesuar nga Ngadhnjim Arrni dhe ma anëtarët Lutfi Shala dhe Mentor Bajraktari.

Rasti pretendohet se ka ndodhur në qendrën e ndalimit në Likovc të Skenderajt në një datë të papërcaktuar siç thuhet në dosje “në muajin gusht apo shtator të vitit 1998”.

Këtë vepër penale ata akuzohen se e kanë kryer teksa personi i paidentifikuar ka qenë në qendrën e ndalimit të Likovcit, duke e rrahur atë në mënyrë të përsëritur.

Ky rast që aktualisht po gjykohet është i njohur si “Drenica 1”, pasi lënda “Drenica” ishte ndarë në “Drenica 1” dhe Drenica 2”.

Sylejman Selimi ishte dënuar për rastin “Drenica 2” nga Gjykata e Mitrovicës më 27.05.2015 me 8 vjet burgim. Apeli e kishte zbutur dënimin në 7 vjet. Kurse në rastin “Drenica 1” ishte dënuar me 6 vjet dhe rasti është kthyer në rigjykim dhe po gjykohet në Gjykatën e Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat