Gërvalla me vendim të prerë: S’do të ketë më motra, vëllezër, kunata, kunetër e baxhanakë të punësuar në MPJD

Aktuale

Gërvalla me vendim të prerë: S’do të ketë më motra, vëllezër, kunata, kunetër e baxhanakë të punësuar në MPJD

Nga: M.L. Më: 23 prill 2024 Në ora: 11:23
Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donka Gërvalla ka marr vendim për ndalimin e punësimit të familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve në MPJD

Në një komunikatë për media të lëshuar nga MPJD thuhet se zëvendëskryeministrja dhe ministrja Gërvalla ka nënshkruar vendimin me numër 113/2024, i cili ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Në njoftimin zyrtar, ministrja Gërvalla ka theksuar se pavarësisht kritikave që pret nga qarqe të ndryshme, ndaj këtij vendimi nuk ka alternativë.

Image
Vendimi i Ministres Gërvalla

“Punësimi në MPJD, rekrutimi i diplomatëve të rinj mund dhe do të bëhet vetëm duke u bazuar në meritokraci, në konkurse të hapura për të gjithë dhe të bazuara në kritere profesionale”, ka deklaruar Ministrja, Donika Gërvalla pas nxjerrjes së vendimit.

Gjeni më poshtë njoftimin e plotë të ministres Gërvalla:

Nepotizmi, familjarizmi, mungesa e theksuar e profesionalizmit dhe llogaridhënies si pasojë e këtyre dukurive, trajtimi i pabarabartë i zyrtarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Diasporës kanë qenë ndër arsyet kryesore të gjendjes së mjeruar në të cilën e kam gjetur këtë institucion.

Është i gjatë rrjeshti i familjarëve të figurave politike dhe publike të punësuara në këtë ministri. I motrave dhe vëllezërve, i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave, kunatava, kunetërve dhe baxhanakëve të ministrave, deputetëve, pronarëve të mediumeve, gjyqtarëve e prokurorëve. Nuk është i vogël as numri i anëtarëve të ngushtë të familjes të zyrtarëve të MPJD/së. Deri në katër anëtarë nga e njëjta familje kanë qenë të punësuar në këtë institucion. Familjarë të ngushtë janë dërguar të shërbejnë në të njëjtin mision diplomatik.

Për t’iu dhënë fund këtyre dukurive kam nënshkruar vendimin me numër 113/2024, i cili ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Vendimin e kam marrë me shumë përgjegjësi, e ndërgjegjshme që do të hasë në kundërshtime të forta nga ana e qarqeve politike dhe mediale, të mësuara me ndërhyrje të tilla, të cilat e dobësojnë shumë strukturën e ministrisë dhe vullnetin e zyrtarëve për të punuar me përkushtim. Por ndaj këtij vendimi nuk ka alternativë. Punësimi në MPJD, rekrutimi i diplomatëve të rinj mund dhe do të bëhet vetëm duke u bazuar në meritokraci, në konkurse të hapura për të gjithë dhe të bazuara në kritere profesionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat