Kryeministri Kurti uron komunitetin turk, premton forcim buxheti dhe të drejta në institucione për ta

Aktuale

Kryeministri Kurti uron komunitetin turk, premton forcim buxheti dhe të drejta në institucione për ta

Nga: Bota sot Më: 23 prill 2024 Në ora: 20:24
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar bashkëqytetarët turq në Ditën Kombëtare të Turqve të Kosovës.

Kurti përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se gjatë vitit të kaluar ata kanë krijuar kushte edhe më të mira për realizimin e të drejtave të komunitetit turk, si për përfaqësimin e tyre në institucionet e nivelit qendror, ashtu edhe në sigurimin e të drejtave për përdorimin e gjuhës turke

“Në Ditën Kombëtare të Turqve të Kosovës, para se t’i uroj bashkëqytetarët tanë nga ky komunitet, dua t’i falënderoj për kontributin e dhënë në vazhdimësi për ndërtimin dhe lartësimin e Republikës së Kosovës. Si mjekë, policë, ushtarë, mësues, nga bizneset deri te shoqëria civile, në vendimmarrje dhe në jetën artistike të vendit.

Gjatë vitit të kaluar kemi krijuar kushte edhe më të mira për realizimin e të drejtave të komunitetit turk, si për përfaqësimin e tyre në institucionet e nivelit qendror, ashtu edhe në sigurimin e të drejtave për përdorimin e gjuhës turke. Në tetor të vitit të kaluar krijuam bazën ligjore që mundëson mbajtjen e konkurseve nëpër ministri për vende pune të rezervuara vetëm për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë dhe tashmë shpalljen e tyre, në mënyrë që kuota prej 10% sipas ligjit për vendet e punës për anëtarët e komuniteteve joshumicë të mund të realizohet”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka dhënë detaje rreth gjuhës turke, gjersa ka shtuar se nga regjistrimi i popullsisë që po bëhet do të kenë informacion edhe më të mirë për numrin e bashkëqytetarëve nga komuniteti turk, dhe synojnë që me këtë informacion të forcojnë më tej buxhetet për ta si dhe të drejtat e tyre për përfaqësim në institucione

“Gjuha turke është gjuhë zyrtare në nivel të komunës së Prizrenit dhe Mamushës dhe në përdorim zyrtar në komunat e Gjilanit, Vushtrrisë dhe Prishtinës. Sivjet, komuna e Mitrovicës së Veriut ka adoptuar vendimin për njohjen e gjuhës turke si gjuhë tradicionale në atë komunë. Po ashtu, për herë të parë në Kosovë, një komunitet po merret në mbrojtje si pjesë e listës së trashëgimisë kulturore, përkatësisht asetit “Opusi i shoqërisë kulturore të komunitetit turk në Prizren” në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore.

Besojmë se dhe prej regjistrimit të popullsisë që po bëhet tani, do të kemi informacion edhe më të mirë për numrin e bashkëqytetarëve tanë nga komuniteti turk, dhe synojmë që me këtë informacion të forcojmë më tej buxhetet për ta si dhe të drejtat e tyre për përfaqësim në institucione. Me këto të drejta dhe me këtë përfaqësim, forcojmë shtetin tonë multietnik dhe projektohemi drejt sukseseve të përbashkëta.

Birlik ve beraberliğimizin sembolü 23 Nisan Kosova Türkleri Milli Bayramımız Kutlu Olsun!”, ka shtuar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat