Jehona e fjalimit të Vjosa Osmanit në OKB

Aktuale

Jehona e fjalimit të Vjosa Osmanit në OKB

Më: 23 prill 2024 Në ora: 20:52
Vjosa Osmani në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Fjalimi i presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mori falënderime. Nënat e Srebrenicës thanë se janë mirënjohëse ndaj Osmanit, e cila përmendi viktimat e gjenocidit serb në Srebrenicë, ndërsa thanë se fjalimi i saj do të mbahet mend nga brezat. Ndërkohë edhe politikani serb Nikolla Sandulloviq falënderoi Osmanin, e cila e ngriti në OKB çështjen e atentatit ndaj tij nga BIA serbe.

Në seancën e djeshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara bashkë me të parën e shtetit, Vjosa Osmani të pranishme ishin edhe katër heroinat kosovare: Vasfije Krasniqi, Shyhrete Osmani, Elhame Muqolli dhe Fahrije Hotin.

E fjalimi i presidentes Osmani për viktimat e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe ndaj boshnjakëve të Srebrenicës u dëgjua nga e gjithë bota.

Për këtë, nënat e Srebrenicës me anë të një postimi në platformën X e falënderuan atë, ndërsa thanë se fjalimi i Osmanit do të mbahet mend nga brezat.

“I jemi mirënjohëse Presidentes Osmani, fjalimi i saj për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, viktimat e gjenocidit ndaj shqiptarëve u dëgjua nga e gjithë bota. Ky lloj fjalimi do të mbahet mend nga brezat. Faleminderit!”, kanë deklaruar nënat e Srebrenicës.

Edhe politikani serb, Nikolla Sandulloviq, ka falënderuar presidenten e Kosovës për ngritjen e çështjes së atentatit ndaj tij nga BIA serbe.

“Falënderoj presidenten e Kosovës Vjosa Osmani e cila e ngriti në OKB çështjen e atentatit ndaj meje nga BIA serbe e Vuciqit. Atentat i cili u urdhërua sepse vendosa lule në varrin e vajzës shqiptare të vrarë, Blerina Jashari, e cila ishte vetëm 7-vjeçe!Tani e vërteta për rastin tim ka ardhur në OKB, që e gjithë bota ta dijë se si po përhapet urrejtja në Serbi nga regjimi diktatorial ndaj të gjithëve në Serbi që duan paqe dhe pajtim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, tha politikani serb, Nikolla Sanuloviq.

Lëvdata për fjalimin e presidentes Osmani në OKB pati edhe profesori i Universitetit, Johns Hopkins në SHBA, Edëard Joseph.

Ai me anë të një postimi në X tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq u mund nga Osmani me një përgatitje dinjitoze.

Vuçiqi bombastik u mund nga Osmani e cila ishte e përgatitur tërësisht…

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit në Nju Jork ku mori pjesë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha se kujtimet e luftës janë në mendjen dhe shpirtin e çdo qytetari të Kosovës, ndërsa tregoi se si fëmijë dhe foshnja janë djegur të gjallë nga forcat serbe, vetëm se ishin shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat