Gashi: Sylejman Selimi po mbahet kundërligjshëm në vuajtje të dënimit

Aktuale

Gashi: Sylejman Selimi po mbahet kundërligjshëm në vuajtje të dënimit

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 14:12
Avokati Tomë Gashi

(E plotësuar) - Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku, po mbahen kundërligjshëm në vuajtje të dënimit, me vendime inekzistente.

Tomë Gashi, avokat i Sylejman Selimit ka thënë se nuk ka arsye juridike që Selimi e Demaku të qëndrojnë në vuajtje, meqë vendimin e mëparshme për rastin e njohur si “Drenica 1, e ka prishur Gjykata Supreme, ndërsa, për rastin tjetër të njohur si “Drenica 2”, Gjykata Kushtetuese e ka anuluar duke e kthyer në rivendosje.

Sipas Gashit, për 75 ditë Selimi e Demaku po mbahen në vuajtje pa vendime gjyqësore në fuqi, pasi rasti është kthyer në rivendosje, meqë ishte konstatuar se paneli ka qenë i jashtëligjshëm.

Gashi: Selimi po qëndron në paraburgim në mënyrë të kundërligjshme

“Tani problemin kryesor e kemi mos realizimi dhe mos aprovimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme të Kosovës, të cilat i kanë anuluar aktgjykimet e mëhershme, rasti është kthyer në rigjykim dhe këta prej 11 qershorit qëndrojnë në mënyrë të kundërligjshme në ekzekutimi të mbajtjes së dënimit inekzistent dhe kjo përbën përveç të tjerave edhe vepër të caktuar penale”, u shpreh Gashi.

Avokati Gashi ka theksuar se sistemi juridik ka dije dhe fuqi që t’i realizojë të drejtat e tyre dhe të nxjerrë vendim për lirimin e menjëhershëm të Selimit dhe Demakut.

Gashi: Sylejman Selimi e Jahir Demaku po iu shkelen të drejtat elementare

“Pas anulimit të aktgjykimeve, pas kthimit të tyre në rigjykim dhe rivendosje, askush nuk ka të drejt t’i mbajë në vuajtje të dënimit që konsiderohet paraburgim për thuaja 5 vite, gjeneral Sylejman Selimin i cili ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por edhe Jahir Demakun sepse kjo përbën shkelje elementare të të drejtave të njeriut, përbën shkelje te të gjitha konventave ndërkombëtare të cilat Kosova o ka pranuar si shtet dhe përbën shkelje të gjitha dispozitave të Kodit të Procedurës Penale pasi që askush nuk duhet të mbetet në paraburgim respektivisht në vuajtje të dënimit pa aktvendim ekzistues”, tha Gashi.

Gashi tha se gjyqtari që e ka lëndën e ka nxjerrë një vendim në formë të njoftimit me të cilin e ka njoftuar institucionin e burgut të Dubravës që menjëherë t’i lirojë Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut, por që këtë e ka bërë vetëm sa i përket rastit Drenica 1.

Ky njoftim, sipas Gashit, i cili mund të konsiderohet lirisht si vendim fare nuk është zbatuar duke pritur edhe vendimin për Gjykatës Supreme të Kosovës që të vendos lidhur me aktgjykimin dhe vendimin e saj sa i përket rastit Drenica 2.

Sipas Gashit, Sylejman Selimi duket se qëllimisht është sakrifikuar për arsye të panjohura për ta, por që ka aluduar se prapa kësaj mund të qëndrojnë arsye politike.

Gashi: Gjykata Supreme fajtore, dikujt po i konvenon që Selimi të qëndroj në paraburgim

“Unë besoj se fajësinë kryesore në aspektin e mos realizimit të të këtij vendimi të Gjykatës Supreme e ka vet Gjykata Supreme ngase në mënyrë të ligjshme nuk ka dhënë instruksione Gjykatës Themelore në Mitrovicë edhe pse kryetari i kësaj gjykate, Nikola Kabashiq ka qenë jashtëzakonisht bashkëpunues dhe me shkresa iu ka drejtuar kryetarit të Gjykatës Supreme që të jep instruksione se si të veproj në këtë rast. Duket që dikujt po i konvenon që Sylejman Selimi të mbetet edhe me tej në Dubravë, atje ku gjendet po thuaj për pesë vite, ndoshta edhe për shkak të karakterit të tij, sepse ai nuk është një person që mund të blihet apo i cili do të kërkoj ndaj atyre që duket se në Kosovë vendosin për gjithçka, që janë lidhjet tepër të mëdha të ndërlidhura në mes politikanëve, politikës së lartë dhe sistemit juridik të Kosovës”, ka thënë Gashi.

Ai thotë se dikujt nuk i ka pëlqyer deklarata e tij e fundit rreth numrit të ish-ushtarëve të UÇK-së, ku ka deklaruar se UÇK-ja kishte 12 mijë e 700 ushtarë.

Ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi ishte dënuar në dy rastet “Drenica 1 dhe 2”, me dënim unik prej 10 vjetësh burg, por që më vonë me vendim të Gjykatës Supreme dënimi i ishte ulur në 8 vjet.

***

Avokati Tomë Gashi, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka folur në lidhje me mbajtjen në paraburgim të Sylejman Selimit e Jahir Demakut.

Gashi që mbron Selimin, ka thënë se ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po mbahet kundërligjshëm në paraburgim, ani pse Gjykata Supreme ka anuluar të gjitha aktgjykimet në rastin e njohur si Drenica I.

Ndërkohë Sylejman Selimi ishte dënuar edhe ne rastin Drenica II, por edhe këtë rast e ka prishur Gjykata Kushtetuese, duke e kthyer ne rivendosje në Gjykatën Supreme.

Tome Gashi ka thënë se nuk ka asnjë arsye juridike që të mbahen ne paraburgim Sylejman Selimi e Jahir Demaku, pasi që edhe në kohën kur janë dënuar kanë qenë duke u mbrojtur në liri.

Sylejman Selimi ishte dënuar në dy raste me dënim unik prej 10 vjetësh, ndërsa më vonë me vendim të Gjykatës Supreme dënimi i është zbutur në tetë vjet.

***

Avokati Tomë Gashi flet për paraburgimin pa vendim gjyqësor ndaj Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut.

Avokati Tomë Gashi ka thënë se do të sqarojë “skandalin më të madh juridik të pasluftës në Kosovë të mbajtjes së Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi dhe të Jahir Demakut në paraburgim.

Sipas tij ata po vuajnë dënimin pa vendim gjyqësor për më tepër se 75 ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat