Gjatë ditës së djeshme, në media u publikua një audioincizimi i Milaim Zekës dhe Ilir Krasniqi, ku sipas të cilit, Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Farmir Limaj, gjatë kohës sa kishte qenë ministër i kishte kërkuar 3 milionë euro disa biznesmenëve gjermanë për hapjen e një biznesi në Kosovë.
E, deputeti Zeka, fajtor për publikimin në media të këtij audioincizimi e ka bërë kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi, si dhe tre policët e Kosovës, Nazim Sahiti, Avni Namani dhe Ejup Isufi, kurse median që e publikoi e quan media të formuar nga Kadri Veseli.
“Sonte u publiku ne Insajder, nga ana e Aleksander Lumezit, dhe policeve Nazim Sahiti, Avni Namani dhe Ejup Isufi, nje inçizim, i cili nuk do duhej te publikohej. Ama argati i Kadri Veselit, Vehbi Kajtazi, i cili e ka kumbar te djalit Aleksander Lumezin ( e kete djale gjithmone ka mohu), u fut ne trekendeshin e policise dhe prokurorise, jo per diçka tjeter, por vetem per te thene: po, edhe Milaim Zeka eshte njesoj si keta! Edhe ai eshte hajn, mashtrues, e çka jo? Po ky inçizim eshte i vjeter, ama 100 perqind i sakt. Prokurorise dhe hetueseve ua kam dorezuar sot brutomaterialin e inçizuar ne studio, te bere nga dy kameraman, ku Ilir Krasniqi e ka pohuar se gjoja Fatmir Lima ia ka kerkuar 3 milion euro per ndertimin e nje fabrike. Kadri Veseli, i cili e ka krijuar kete portal per raketimin e bizneseve, njeriu i cili ia punesoi gruan e Vehbi Kajtazit ne Banken Qenderore, po mendon qe te rinjte e Kosoves i hane keto kapalla”, ka shkruar Zeka në arsyetimin e tij, përcjellë “Bota sot”.
E, menjëherë pas publikimit të këtij audioincizimi, në rrjetin social facebook, simpatizantët e NISMA-së dhe zyrtarët e saj kanë kërkuar prishjen e koalicionit me PDK-në dhe AAK-në.
“Një foto sa njëmijë fjalë. Z.kryetar shpëtoje Kosovën,ashtu siq e ke shpëtuar deri më tani. Tregojav vendin edhe ktyre ashtu siq ja ke treguar vendin Isa Mustafes. Prishe koalicionin. Respekt z.Kryetar”, ka shkruar në faqen e tij, simpatizanti dhe zyrtari i NISMA-së, Bekim Zabergja.
E thirrjen e tij për prishjen e koalicionit e kanë përkrahur edhe disa zyrtarë të lartë në NISMA-së.
Ka qenë deputeti dhe shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Bilall Sherifi, ai i cili ka pëlqyer këtë status. Po ashtu, pëlqimin e ka dhënë edhe këshilltari i Limajt, Leotrim Berisha, zëvendësministri i FSK-së nga Nisma, Isa Xhemajlaj si dhe vëllai i Fatmir Limajt, Demir Limaj, shkruan “Bota sot”.
Si duket, tashmë NISMA është duke u përgatitur për të dalë nga koalicioni qeverisës, ku Limaj mbanë postin e zëvendëskryeministrit.