Hapat e mëtutjeshëm për formimin final të ushtrisë

Aktuale

Hapat e mëtutjeshëm për formimin final të ushtrisë

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 20:10
FSK

Pas vendimit të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri e Mbikëqyrje të FSK-së rreth procedimit të pakove për projektligjet që lidhen me shndërrimin në ushtri, tani do të jetë një sfidë tjetër nga ana e legjislativit.

Monitoruesja e punës së Kuvendit nga organizata e KDI-së, Agnesa Haxhiu ka sqaruar se Kryesia e Kuvendit në mbledhje e ardhshme duhet ta procedojë për në Kuvend në lexim të parë.

Sipas saj, në bazë të rregullores së punës së Kuvendit, shqyrtimi i parë i një projektligj duhet të bëhet jo më vonë se katër javë pas shpërndarjes së tij në Kuvend.

“Për projektligjet në fjalë tashmë kanë kaluar dy javë prej se janë shpërndarë tek deputetët dhe tash mbasi ka kaluar në parim në komisionin përkatës do të duhej që në seancën e radhës të futeshin në rend dite për shqyrtim. Pas shqyrtimit të parë në seancë, projektligjet do t’i kthehen komisionit funksional për shqyrtim dhe amendamentim”, ka thënë ajo.

Më tej, Haxhiu tregoi se afati kohor i paraparë për shqyrtim në komision prej kur projektligjet kalojnë leximin e parë në seancë plenare është dy muaj, mirëpo me kërkesë të komisionit ky afat mund të shtyhet edhe për një muaj tjetër dhe më pas duhet të dërgohet në seancë për të marrë miratimin final.

“Paraprakisht, komision funksional duhet t’i procedojë këto projektligje edhe në katër komisionet e përhershme. Për miratimin e tyre final Kuvendi vendos me shumicë votash nga numri i pranishëm i deputetëve, që nënkupton që këto tri ligje mund të kalojnë edhe me 31 vota për, meqenëse këto ligje nuk hyjnë tek ligjet me interes vital që parashihen me Kushtetutë ku do të kërkohej mandej edhe shumica e votave të deputetëve nga komunitetet që nuk janë shumicë”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat