Reagon Albin Kurti: Mbijeto Çlirim, jeto për të gjithë ne

Aktuale

Reagon Albin Kurti: Mbijeto Çlirim, jeto për të gjithë ne

Nga: N.H Më: 9 tetor 2018 Në ora: 16:05
Albin Kurti

Edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me incidentin që ndodhi ditën e djeshme në Novi Sad, ku u sulmuan fizikisht dy të rinj shqiptarë, përcjell "Bota sot".

I pari i VV-së ka deklaruar se është e trishtë të shohësh se si eurodeputetët  vlerëson se në Serbi ka përparim në të drejtat e minoriteteve, kurse Çlirimi 19 vjeçar po lufton për jetë, pasi u rrah brutalisht pikërisht nga serbë.

Albin Kurti përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë poashtu se për 19 vite me radhë pushtetarët e Kosovës ia vodhën dinjitetin çlirimit, e shpërdorën atë për vjedhje të pasurisë së përbashkët, uzurpimin e pronave publike dhe shkatërrimin e ekonomisë e cila u bë private dhe e tyre.

Ja postimi i plotë i Albin Kurtit:

Ndërkohë që po lexoja raportin e Parlamentit Europian mbi vendet aspirante për integrim në BE, dhe shihja se si disa eurodeputetë kishin shtuar amendamente ku e kishin lavdëruar Serbinë për avancime në trajtimin e minoriteteve, mora një lajm trishtues. Dy shqiptarë, 19 vjeçarë, ishin rrahur keq në Novi Sad, vetëm pse i kishin dëgjuar të flisnin shqip me njëri-tjetrin. Dy punëtorë të furrave të bukës, nga Hasi i Kosovës, janë sulmuar barbarisht nga një grup serbësh. Njëri prej tyre, Çlirim Maloku, është në gjendje të rëndë, për jetë a vdekje, me eshtrat e kokës të thyera, me gjakrrjedhje në tru.

Mendoja e uroja me gjithë zemër që Çlirimi ta fitojë luftën me vdekjen e të jetojë. Çlirimi i cili i ka aq vjet sa edhe çlirimi i Kosovës.

Për 19 vite me radhë pushtetarët e Kosovës nuk e ndërtuan ekonominë, që rinia të mos ikë në kurbet e të nxjerrë bukën e gojës duke u përballur me ksenofobinë e racizmin.

Për 19 vite me radhë pushtetarët e Kosovës ia vodhën dinjitetin çlirimit. E shpërdorën atë për vjedhjen e pasurisë së përbashkët, uzurpimin e pronave publike dhe shkatërrimin e ekonomisë sonë e cila u bë private dhe e tyre.

Për 19 vite me radhë pushtetarët e Kosovës nuk ndërtuan një marrëdhënie partneriteti me politikanët e diplomatët ndërkombëtarë e evropianë, por një marrëdhënie servilizmi e oportunizmi, përuljeje, pa integritet. Andaj sot, kur shqiptarët në Serbi rrihen për vdekje veç pse flasin shqip, eurodeputetët lavdërojnë Serbinë për trajtimin e minoriteteve. Ndërkohë që Kosova e cila i ka dhënë minoriteteve të drejta që nuk i kanë në asnjë vend të Evropës, përfshi dhe të drejtën e vetos, mbetet e izoluar dhe e përbuzur.

Për 19 vite me radhë, pushtetarët e Kosovës, përmes negociatave pa parime, përmes lëshimeve pa hesap, përmes mbulimit të së vërtetës, e kanë rehabilituar jo vetëm Serbinë e cila nuk na njeh, por edhe politikanët e linjës çetnike, si Vuçiqi e Daçiqi. Këta të fundit fillimisht u bënë partnerë të preferuar të Prishtinës, e vetëm pas kësaj të Brukselit.

Megjithatë, mbijeto Çlirim. Bëhuni të fortë, familjarë të Çlirimit. Bëhuni të fortë kosovarë. Kemi mbetur pa bukë e pa dinjitet, pa ekonomi e pa ushtri, por Çlirimin nuk mund ta braktisim. Çlirimi është pikënisja e vetme. Mbahu Çlirim, me 19 vitet e rinisë e fuqisë tënde. Jeto, për të gjithë ne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat