Në mesin e 20 personave që intervistohen për rastin e shtetasve turq, është edhe Presidenti Thaçi

Aktuale

Në mesin e 20 personave që intervistohen për rastin e shtetasve turq, është edhe Presidenti Thaçi

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 10:57
Gjashtë shtetasit turq

Komisioni Hetimor parlamentar për shtetasit turq do të intervistojë sot Kryeshefen e Inspektoriatit Policor, Miradije Kelmendin, lidhur me deportimin e gjashtë gylënistëve. Kryetari i këtij Komisioni ka thënë se do të intervistohen edhe 20 persona të tjerë që janë në krye të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe Presidentin Hashim Thaçi

Mbledhja e Komisionit Hetimor parlamentar për Gylenistës, fillon sot në orën 13:00, ku do të nis me intervistimin e kryeshefes së Inspektoriatit Policor, Miradije Kelmendi.

Këtë e ka bërë të ditur Kryetari i Komisionit, Xhelal Sveçla.

“Intervistimet fillestare përfshijnë 20 persona, përfshirë këtu edhe Presidentin Hashim ThaçI për rastin e deportimit të gjashtë gylenistëve”, ka thënë Sveçla.

Ndërsa, kryeshefja e IPK’së do të raportojë sot në Komision për të gjitha informatat që ka në lidhje me deportimin e gjashtë shtetasve nga Kosova për në Turqi, që ndodhi para 6 muajve.

Por, para gjashtë muajve, në krye të Inspektoriatit, atëherë kur edhe ndodhi deportimi, ishte Hilmi Mehmeti. Më 8 gusht, Miradije Kelmendi më pas u emërua në krye të Inspektoriatit.

Komisioni ka nisur punën në korrik dhe janë të mandatuar vetëm për katër muaj të kryejnë hetimet, që i bie deri më 15 dhjetor.

Gjashtë shtetasit nga Kosova u dërguan në Turqi më 29 mars përmes një operacioni të MIT-it me Agjencinë Inteligjente të Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj, pas deportimit të gylenistëve në Turqi, shkarkoi ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe urdhëroi shkarkimin e shefit të AKI-së, Driton Gashi.

Por, familjet e gylenistëve që u deportuan, u deklaruan se ndjehen të rrezikuar në Kosovë, për faktin se çdo moment mund të kidnapohen dhe t’i dërgohen shtetit turk.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat