Isa Mustafa flet për rrëzimin e qeverisë, ja çka thotë për Listën Serbe

Aktuale

Isa Mustafa flet për rrëzimin e qeverisë, ja çka thotë për Listën Serbe

Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 17:49
Isa Mustafa

(E plotësuar) - LDK vazhdon të insistojë se askush nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në dialog pa mandatin e Kuvendit dhe kërkon që kjo çështje të mandatohet në Kuvend.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një konferencë për media tha se është absurde të ulesh në dialog me Serbinë, derisa kjo e fundit punon kundër njohjeve nga shtete që tashmë kanë njohur Kosovën.

Mustafa: S’ka dialog derisa Serbia nuk ndërpret fushatën kundër Kosovës

 

 

“S’mund të flasësh për normalizimin e marrëdhënieve me një vend, i cili tenton që kjo pavarësi dhe është njohur nga 115 shtete. Si LDK vlerësojmë nuk është çështje që Vuçiq të vë kushte për dialogun, se çfarë duhet të ndryshojë Kosova në qëndrimet e saj, por është Kosova është që të kërkojmë që të mos vazhdojë dialogun derisa Serbia nuk e ndërpret fushatën kundër njohjes së Kosovës”, tha ai.

Mustafa ka folur edhe për liberalizimin e vizave, duke kërkuar nga vendet e BE-së që të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve kosovarë në Evropë.

Mustafa: Ne nuk guxojmë ta fajësojmë BE-në për procesin e liberalizimit të vizave

 

 

“Ne nuk guxojmë ta fajësojmë BE-në për procesin e liberalizimit të vizave, por ne duhet t’i sigurojmë shtetet e BE-së se Kosova do të përmbushë të gjitha kriteret dhe se Kosova do të luftojë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për zhvillimin ekonomik të vendit dhe assesi që perspektiva të llogaritet në vendet e BE-së ose ndryshimin e regjimit të vizave”, tha ai.

I pari i LDK-së ka kërkuar më tepër punë në zbatimin e MSA, duke përmendur ngecjet në zbatimin e agjendave evropiane dhe ndërmarrjet e veprimeve të qeverisë, të cilat sipas tij janë në kundërshtim me MSA-në.

Mustafa tha se qeveria po vihet mbi Kuvendin, duke përmendur rastin e shkarkimit të bordit të agjencive të pavarura, gjë që nuk ka qenë në kompetencë të ekzekutivit, ndërsa theksoi edhe rastin e pronave të AKP-së, nga qeveria njëanshëm i janë dhënë në menaxhim komunave me shumicë serbe.

Mustafa: Qeveria aktuale duhet të shkojë

 

 

“Kjo qeveri duhet të shkojë, sepse po bën veprime të gabueshme dhe nuk e përfaqëson më shumicën në Kuvend, e as me letra, se edhe me letra ka mbetur qeveri e pakicës. Qeveria vetë të ndërmarrë hapa dhe të shkohet në zgjedhje të reja dhe këto vendime t’i marrim me një shumicë të qëndrueshme”, u shpreh ai.

Ai ka folur edhe për iniciativën e Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Mustafa: Qeveria që unë e kam drejtuar është rrëzuar me Listën Serbe

 

 

“Po flitet shumë për këtë iniciativë. Ne kemi marrë iniciativën si LDK që të përgatisim mocionin e mosbesimit të Qeverisë. Ne po ashtu e dimë që qeveria që unë e kam drejtuar është rrëzuar me Listën Serbe dhe mocioni është nënshkruar edhe nga njerëz të Listës Serbe, sepse si duket zoti Veseli, i cili publikisht ka deklaruar se ka organizuar rrëzimin e qeverisë, ka dashur të organizojë një vëllazërim-bashkim për rrëzimin e asaj qeverie”, tha ai.

I pari i LDK-së ka folur edhe rreth takimit të presidentit Hashim Thaçi me homologun e tij rus Vladimir Putin.

Mustafa: Kemi një president të cilit nuk mund t’i zëmë besë

 

 

“Kemi një president të cilit nuk mund t’i zëmë besë se as çka ka folur atje, as çka nuk ka folur në Paris, pasi ndryshe deklarohet këtu e ndryshe atje. Është mirë që presidenti Putin është deklaruar në mënyrë të tillë, por unë jam i bindur se nuk mund të arrijmë marrëveshjen me Serbinë për normalizim marrëdhëniesh e as për njohje reciproke pa angazhim të fuqishëm të SHBA-së”, u shpreh ai.

Mustafa ka folur edhe rreth mocionit të mos besimit në kohën kur ai ishte në krye të qeverisë dhe marrëveshjen me partnerin e atëhershëm – PDK-në, duke thënë se nuk ishte LDK-ja ajo që ia mundësoi Thaçit të bëhet president, por këtë ia kanë mundësuar votat që ka marrë ai dhe PDK-ja në zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Mustafa thotë se LDK e përkrah maksimalisht procesin e vizave dhe ushtrinë e Kosovës 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka mbajtur konferencë për media pas mbledhjes që ka pasur me kryetarët e degëve të kësaj partie.

Mustafa, në këtë konferencë ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. I pari i LDK-së ka theksuar se do të vazhdojnë që të kundërshtojnë dukshëm që në bisedimet me Serbinë të negociojë dikush tjetër pa mandat nga legjislativi.

“Ne si LDK kemi konstatuar dhe vazhdojmë të kundërshtojmë se askush nuk mund të përfaqësojë Kosovën në dialog me Serbinë pa mandat nga Kuvendi i Kosovës. Kjo çështje duhet të mandatohet nga Kuvendi i Kosovës. Është absurde që të ulësh me Serbinë në dialog përderisa ajo është kundër njohjeve të shteteve që e kanë njohur Kosovën”, ka thënë Mustafa.

Më tutje, Mustafa ka shtuar se LDK vlerëson se nuk duhet Presidenti serb, Vuçiq të vendos kushte rreth bisedimeve me Kosovën. Sipas tij. është Kosova ajo që duhet të vendos kushte përderisa Serbia vazhdon fushatën e saj kundër njohjeve të shteteve që kanë njohur Kosovën.

Mustafa, më tutje, ka treguar edhe qëndrimin e LDK-së sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave dhe ushtrisë së Kosovës. Sipas tij, të dyja këto procese do t’i mbështesin maksimalisht.

“LDK do të jetë e përkushtuar me procesin e Projektligjeve në Kuvendin për ndryshimin e mandatit të FSK-së, këtë proces do ta përkrahim  po ashtu edhe procesin e liberalizimit të vizave për këtë iu kemi shkruajtur edhe BE-së që ata t’ua mundësojnë qytetarëve që të lëvizin lirshëm nëpër vende e BE-së”, ka thënë Mustafa.

Po ashtu, i pari i LDK-së thotë se për cështjen e vizave, i kanë shkruajtur edhe Merkelit dhe për këtë kanë marr  përgjigje të mirë.

“Ne nuk guxojmë të  fajësojmë BE-në për vizat por duhet t’i sigurojmë shtetet anëtare veç e veç se Kosova do t’i përmbush të gjitha kriteret, luftën kundër korrupsionit, perspektiven e zhvillimit ekonomik. Në këtë aspekt ne maksimalisht do të përkrahim procesin e liberalizimit të vizave”, shtoi Mustafa.

 

 

Konferenca e LDK-së pas mbledhjes me kryetarët e degëve (Drejtpërdrejt)

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, mban mbledhje me kryetarët e degëve të LDK-së, pas së cilës mbahet konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat