Familjarët kërkojnë drejtësi për vdekjen e 19-vjeçarit, Drin Leku, në QKUK - Bota Sot
Familjarët kërkojnë drejtësi për vdekjen e 19-vjeçarit, Drin Leku, në QKUK

Aktuale

Familjarët kërkojnë drejtësi për vdekjen e 19-vjeçarit, Drin Leku, në QKUK

Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 10:57
Drin Leku

Kanë kaluar më shumë se katër muaj nga vdekja në QKUK e 19-vjeçarit, Drin Leku, nga fshati Baincë i Drenasit. Por ende nuk po dihet se si erdhi deri te vdekja e këtij të riu. Familja po e akuzon stafin e QKUK-së, për neglizhencë ndaj trajtimit për djalin e tyre. Dreni ka ndërruar jetë në mesnatën e 8 gushtit. Kufoma e të ndjerit kishte qëndruar në korridorin e QKUK-së deri në orën 8:30 të mëngjesit. Por institucionet kosovare ende nuk kanë dal me rezultate për të sqaruar rrethanat.

Familjarët e të ndjerit kanë angazhuar edhe një avokat me anë të të cilit kanë ushtruar kallëzim penal ndaj Klinikës së Kirurgjisë Abdominale ku i ndjeri pas operacionit ndërroi jetë më 8 gusht të këtij viti.

“Sot bëhen 4 muaj nga ndarja fizike nga ne Drin Leku. Ende pa kurrfarë rezultatesh nga Mjekësia Ligjore, nga i erdhi vdekja Drinit? Ku është shëndetësia jonë, ku është shteti që hesht, që askush nuk jep kurrfarë përgjegjësie”, ka shkruar axha i të ndjerit, Naser Leku.

Për vdekjen e 19-vjeçarit kanë kryer hetime Inspektorati Shëndetësor, Prokuroria e Kosovës si dhe i është bërë obduksioni nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Por asnjë nga këto institucione nuk kanë dal me ndonjë rezultat.

Më poshtë gjeni rrëfimin e plotë të familjes të së ndjerit.

“Babi, bane mirë qe më prune”, kishin qenë fjalët që 19-vjeçari, Drin Leku, ia kishte thënë prindit të tij, Rrustemit, pasi që ky i fundit e dërgoi në QKUK për trajtim, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të djalit të tij në mesnatën e 6 gushtit të këtij viti.  Por nga aty, Drini nuk arriti të dilte i gjallë. Ai ndërroi jetë 2 ditë më vonë, më 8 gusht në QKUK.

Historia tragjike e familjes Leku me djalin e tyre nisi që nga mesnata e 4 gushtit të këtij viti. Djali i Rrustemit, Drini, kishte vazhdimisht të vjella dhe dhembje të barkut. Me këto simptoma ai kërkon ndihmë në Emergjencën e QKUK-së. Por aty, familja thonë se mjekët nuk ia ndalën djalin për trajtim më afatgjatë. I kishin thënë se nuk ka asgjë serioze dhe se djalin duhet kthyer për në shtëpi.

Babai i 19-vjeçarit të ndjerë ka treguar për 4 ditët e tmerrit që ai dhe familja e tij i kanë përjetuar në spitalet e Kosovës duke tentuar që t’ia gjejnë ilaçin djalit të tyre. Por edhe pas vdekjes së Drinit, familja nuk po e di se çka e çoi drejt vdekjes djalin e tyre, i cili në këmbët të veta kishte arritur të shkojë për kurim në QKUK.

“Ka qenë e shtunë, data 4, muaji i 8, djali ka pasë dhimbje. E kam marrë e kam çua në Drenas. Aty më thanë duhet me e dërgu në Prishtinë. Kur e çova aty, ish kanë tollovi në Emergjencë pasi që ishin duke e renovu. E çova djalin në një klinikë tjetër. Aty tepër ngarkesë si pazar. E ndiva veten shumë keq. Trajtimet kanë qenë jo të mira. Ka pasë mangësi të mëdha të kontrollave për djalin tim. Kur e çova djalin aty më thanë me ia ba disa analiza dhe ultrazërin. Ia kryva djalit të dyja. E pa fotografimin edhe më thanë s’ka kurgjo djali. Tha mundesh me marrë, ni infuzion ndoshta me ia dhanë, ky s’ka nevojë për tjetër”, rrëfen për përvojën e parë me mjekët e QKUK-së, babai i Drenit tashmë të ndjerë.

Pas asaj, Drenin, familja e kishte kthyer në shtëpi, për t’u rikthyer sërish në spital më datën 6 gusht. Por, në Emergjencën e QKUK-së, kujdesi i mjekëve ndaj Drenit, sipas familjarëve sërish ishte i mangët.

Rrustemi ka shpjeguar  se si i vetëm ishte detyruar që djalin në gjendje të keqe shëndetësore me shtratin e spitalit ta merrte e ta dërgonte në katin e dytë të emergjencës për t’ia kryer fotografimin. Pavarësisht se Dreni në ato momente kishte të vjella dhe marramendje. 

“Djali vazhdimisht kishte të vjella. Në QKUK më dërgonin bashkë me djalin me ba fotografime. Unë i vetëm me djalin kam bërë 1 orë për me e dërgua në katin e dytë për fotografim. Krejt vetë me djalë u nisa për këto punë. Isha në lift, unë me krevat e kisha djalin, isha veç vetë, mjekët nuk më vinin në katin e dytë për me e dërgua djalin. E kam pa tmerrin", rrëfen me lot në sy për trajtimin e djalit të ndjerë në QKUK, prindi nga Drenasi

E pas përkeqësimit të gjendjes së pacientit 19 vjeç, mjekët e QKUK-së urgjentisht ishin mbledhur për ta dërguar në sallën operative. Por për të shkuar deri atje, familja bashkë me stafin mjekësor kishin bërë më shumë se gjysmë ore. Kështu po deklaron prindi i të ndjerit.

“Djalin e kanë operua në bodrum. Rruga e gjatë, krevati kërciste në ato vijat e spitalit. Në gjysmën e korridorit mjekët kanë fillu me vrapua. Kur arritëm te lifti, ai ishte mbyllë. Vrapo me i thirrë në telefon për me i lëshu liftat. Për disa minuta jemi endë për me e gjete mënyrën me dërgua djalin në sallë", tregon tutje prindi i 19-vjeçarit. 

Ai pas operacionit kishte qëndruar në Mjekimin Intensiv Qendror të QKUK-së, duke ndërruar jetë më 08.08.2018 në orën 00:06.

“Vonesat kanë qenë shumë të mëdha. Kur e kanë pa djalin që ka vjellë është dashtë me intervenu. Unë sot nuk e di arsyen përse më ka vdekur djali”, rrëfen Rrustemi.
Familja e Drin Lekut, po e akuzon stafin mjekësor të QKUK-së për trajtim jo të duhur mjekësor dhe neglizhencë. Për këtë punë, i ati Rrustemi po kërkon hetim nga organet e hetuesisë kosovare.

“Unë do të kërkoj drejtësi për gjithë këto sjellje. Kjo nuk është plagë e vetëm një prindi por e gjithë familjes, motrave, vëllait. Jetën na e kanë prishë.

Ai thotë se emrat e të gjithë mjekëve që ia kontrolluan djalin tashmë janë në duar të organeve të hetuesisë dhe Inspektoratin Shëndetësor.

Nga familja e të ndjerit rrëfejnë se deri më 5 gusht, djali i tyre, Dreni, kishte punuar si mekanik në punëtorinë të cilën e kishte në oborrin e shtëpisë së tij.
“Djali nuk ka qenë asnjëherë i sëmurë. Ka punu mekanik. Ia kam hapë punëtorinë këtu para shtëpisë. Kurrfarë shqetësimi nuk ka pasë. Kjo punë ka ndodhë nga moskujdesi. Unë tash jam në gjyq me QKUK-në. Kam ushtrua padi”.

Dreni ka ndërruar jetë në mesnatën e 8 gushtit. Kufoma e të ndjerit, sipas familjes, kishte qëndruar në korridorin e QKUK-së deri në orën 8:30 të mëngjesit. Ata kanë dyshime se qëndrimi në temperaturë të lartë i kufomës, ka humbur gjurmët e sëmundjes dhe operimit. 

E për të hedhur dritë në gjithë këtë punë, hetimet po i vazhdon edhe Inspektorati Shëndetësor i Kosovës. Këta të fundit në një përgjigje dhënë Gazetës kanë deklaruar se janë në fazën e grumbullimit të provave. 

“Inspektimi për rastin në fjalë ka filluar, por ende jemi duke grumbulluar prova (deklarata të mjekëve të cilat vonohen për shkak të pushimeve vjetore, raportit të mjekësisë ligjore dhe të dhënave të tjera relevante). Pas shqyrtimit të të gjitha të dhënave në dispozicion, do të lëshohet raport inspektimi në të cilin do të rekomandohen masat përkatëse”, ka deklaruar ditë më parë për Express sqaron kryeinspektorja Ardita Baraku.

Në Polici, po ashtu, thonë se janë duke e pritur raportin final të autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore për këtë punë. Nga këto institucione hetimore thonë se pas raportit do të merren veprimet e tjera hetimore.

Ndërkohë, në Mjekësinë Ligjore po bëhen vlerësimet për këtë rast dhe pritet që pas disa ditësh të dalin rezultatet. Derisa Drin Leku ka ndërruar jetë në mesnatën e 8 gushtit, edhe përse ndihmën e kishte kërkuar qysh në datën 4 dhe 5, por ai u pranua në spital vetëm me datën 6.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...