Kjo është Rezoluta për dialog e miratuar sonte në Kuvend

Aktuale

Kjo është Rezoluta për dialog e miratuar sonte në Kuvend

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 19:25
Pamje nga seanca

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar sonte Rezolutën për dialog, e propozuar nga PSD-ja.

Dokumenti i plotë:

Republika e Kosovës

Republika Kosova -Republic of Kosovo

Kuvendi - Skupština – Assembly

Legjislatura VI                                                                                             

Sesioni Vjeshtor      

Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate

Grupi Parlamentar i NISMA Socialdemokrate

15.12.2018

MOCION PËRMBAJTËSOR

Projekt-Rezolutë mbi Procesin e Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Për:     Z. Kadri Veseli

Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Kryetarët e Grupeve Parlamentare

Deputetët e Kuvendit

Nga:    Visar Ymeri

Në emër të Grupeve Parlamentare: Partia Socialdemokrate, NISMA Socialdemokrate

I nderuari z. Veseli,

Të nderuar Kryetarë të grupeve parlamentare,

Të nderuar deputetë,

Nëpërmjet kësaj shkrese përcjellëse, në emër të deputetëve nënshkrues, Partitë Politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës: Partia Socialdemokrate, NISMA Socialdemokrate, janë pajtuar për tekstin e Rezolutës të proceduar me 20 korrik 2018.

Visar Ymeri

_______________________

Deputet i GP-Partia Socialdemokrate

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të neneve 6. 1 dhe 52.2 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e Seancës së jashtëzakonshme të mbajtur më 15 dhjetor 2018, me propozimin e Grupit Partisë Socialdemokrate, miraton këtë:

R E Z O L U T Ë

MBI PROCESIN E DIALOGUT PËR NORMALIZIMIN E MARRËDHENIEVE NDËRMJET REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE SERBISË

I.                   PARIMET E MARRËVESHJES SË QËNDRUESHME DHE GJITHËPËRFSHIRËSE

Procesi i Dialogut dhe i bisedimeve kuptohet mënyrë efikase dhe e vetme për arritje të marrëveshjeve të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, ndërkombëtarisht të pranueshme dhe ligjërisht të obligueshme mes dy shteteve fqinje: Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politikë, Procesi i Dialogut do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të rezultojë në:

·         Njohje të ndërsjellë të shtetësisë nga palët e përfshira në Proces;

·         Anëtarësim të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB)

·         Zotim të verifikueshëm për përshpejtimin e proceseve integruese të Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian dhe në NATO

II.                PËRKUFIZIMI DHE KORNIZA E DIALOGUT

Kuvendi i Republikës së Kosovës konsideron se, për qytetarët dhe përfaqësuesit politikë të Republikës së Kosovës, janë tri çështje fundamentale që e formësojnë kornizën, përmbajtjen dhe karakterin e Procesit të Dialogut dhe të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të dala nga ai:

·         Integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit të Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri unitar shtetëror i Republikës së Kosovës janë të pacënueshme dhe të patjetërsueshme.

·         Interesi strategjik i shtetit të Kosovës.

Republika e Kosovës synon të zhvillojë dhe mirëmbajë fqinjësi të mirë, të anëtarësohet në Aleancën e NATO-s dhe në Bashkimin Evropian. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk do të përkrahë një proces të bisedimeve i cili do ta kontestojë apo relativizojë këtë interes strategjik të shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

·         Republika e Kosovës është rregullim shtetëror i demokracisë parlamentare dhe i shoqërisë sekulare brenda traditës multi-kulturore.

Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk do të përkrahë një proces të bisedimeve i cili nuk i përfillë dhe i konteston këto fundamente strukturore dhe identitare të shtetit të Kosovës.

III.             PLATFORMA DHE LIGJI PËR PROCESIN E DIALOGUT

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet për arritjen e një konsensusi sa më të gjerë ndërmjet përfaqësuesve politikë, shoqërisë civile dhe qytetarëve të vendit për Procesin e Dialogut.

Procesi i arritjes së këtij koncensusi do të zhvillohet përmes hartimit të Platformës së Dialogut, dokument i cili do të përmbajë dhe interpretojë parimet themeltare dhe pozicionet shtetërore mbi të cilat do të zhvillohet dialogu Kosovë – Serbi.

Po ashtu, Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta votojë Ligjin për Dialogun me të cilin do të sigurohet vlefshmëria juridike dhe sanksionimi ligjor i përmbajtjes së Platformës së Dialogut dhe të përgjegjësive të përfaqësuesve të Delegacionit Shtetëror.

·         Në përpjekje për ta promovuar baraspeshën ndër-partiake me qëllim të arritjes së koncensusit sa më të gjerë politik, Platforma për Dialogun do të hartohet nga një grup i kryesuar nga një përfaqësues i opozitës parlamentare, pjesëmarrëse në Procesin e Dialogut.

·         Komisioni për Hartimin e Platformës së Dialogut do të formohet dhe përbëhet nga anëtarët e Delegacionit Shtetëror, duke përfshirë edhe përfaqësuesin e shoqërisë civile, të votuar paraprakisht me procedurë parlamentare për anëtar të Delegacionit.

1.      Afatet për Hartimin dhe Funksionalizimin e Platformës dhe Ligjit për Dialogun

Delegacioni Shtetëror do të obligohet që brenda afatit 30 ditësh nga themelimi dhe funksionalizimi i tij, t’ia paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës projekt-dokumentet si në vijim:

·         Projekt-Platformën e Dialogut ku do të saktësohen të gjitha parimet udhëheqëse mbi të cilat Delegacioni Shtetëror do ta përfaqësojë Republikës e Kosovës në procesin e Dialogut;

·         Projekt-Ligjin mbi Dialogun me të cilin do të definohen dhe saktësohen kompetencat, përgjegjësitë dhe fusha e veprimit të Delegacionit Shtetëror dhe të përfaqësuesve të tij në Procesin e Dialogut.

IV.             DELEGACIONI SHTETËROR: STRUKTURA, MANDATI, FUNKSIONIMI DHE MBIKËQYRJA

Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta votojë dhe mandatojë një Delegacion Shtetëror i cili do të jetë entiteti/organi i vetëm i autorizuar për t’u angazhuar në Procesin e Dialogut.

Delegacioni Shtetëror do ta mbajë të drejtën ekskluzive të komunikimit dhe të interpretimit publik të procedimeve, përmbajtjes dhe arritjeve në Procesin e Dialogut.

·         Delegacioni Shtetëror i ka 11 anëtarë, prej të cilëve 6 (gjashtë) do të jenë nga partitë e koalicionit qeveritar, 4 (katër) nga partitë opozitare, dhe 1 (një) përfaqësues i Shoqërisë civile. Delegacioni do të bashkë-drejtohet barabarësisht prej 2 (dy) përfaqësuesve, njëri nga nga radhët e opozitës parlamentare dhe tjetri nga koalicionit qeveritar. Të dy bashkëdrejtuesit do të votohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës së bashku me delegacionin shtetëror.

·         Po ashtu, duke synuar përfaqësimin sa më të gjerë dhe të barabartë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës, një përfaqësues nga shoqëria civile do të jetë anëtar i rregullt i Delegacionit Shtetëror.

Delegacioni Shtetëror do të përbëhet nga këta përfaqësues politikë të votuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës:

Shpend Ahmeti (PSD), Fatmir Limaj (NISMA), bashkëdrejtues

 Enver Hoxhaj (PDK), anëtar

 Avni Arifi (AAK), anëtar

 Behgjet Pacolli (AKR), anëtar

 Visar Ymeri (PSD/vend i rezervuar për opozitën), anëtar

 Dukagjin Gorani (PSD/ vend i rezervuar për opozitën), anëtar

 Mahir Jagcilar (Grupi 6+), anëtar

 Dardan Gashi (zv/KM), anëtar

 Një anëtar nga Shoqëria Civile

1.      Udhëheqja dhe Mbikëqyrja Proporcionale

Komisionet punuese përbëjnë bërthamën e Delegacionit Shtetëror. Pavarësisht numrit të tyre, udhëheqja profesionale dhe mbikëqyrja politike do të shpërndahet barabarësisht (50/50) mes përfaqësuesve të subjekteve pjesëmarrëse të pushtetit dhe opozitës.

2.      Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrje të Dialogut

Delegacioni Shtetëror do të raportojë në mënyrë të rregullt rreth ecurisë së procesit të dialogut para Komisionit për Mbikëqyrjen e Dialogut.

·         Komisioni për Mbikëqyrjen e Dialogut do të themelohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ai do të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha subjekteve parlamentare dhe do të plotësohet me anëtarë të përzgjedhur nga shoqëria civile.

·         Komisioni për Mbikëqyrjen e Dialogut do të udhëheqet nga një përfaqësues i partive opozitare, pjesëmarrëse në procesin e Dialogut.

3.      Vendimmarrja në Delegacionin Shtetëror

Vendimet në Delegacionin Shtetëror do të jenë koncensuale. Këtu, me koncensus do të nënkuptohet procedura e arritjes së pajtimit të njëzëshëm/unanim të të gjithë përfaqësuesve të subjekteve pjesëmarrëse në procesin e Dialogut.

V.                ROLI QËNDROR I KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË PROCESIN E DIALOGUT

Kuvendi i Republikës së Kosovës mbanë rol qëndror në procesin e Dialogut.

Delegacioni shtetëror, i votuar dhe i mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka të drejtë dhe mbanë përgjegjësi të negociimit dhe arritjes së marrëveshjes gjatë procesit të Dialogut.

·         Mandati i liderëve institucionalë të Republikës së Kosovës në proces të Dialogut do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Çdo veprim i tyre përtej mandatit të saktësuar me Kushtetutë do të konsiderohet i pavlefshëm dhe do të përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Ligjeve të Republikës së Kosovës.

·         Mandati i përfaqësuesve të tjerë në Delegacionin Shtetëror do të jetë në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë e mbarështruara në Platformën dhe Ligjin për Dialogun. Çdo veprim i tyre përtej këtyre kompetencave do të konsiderohet i pavlefshëm dhe do të përbëjën shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të Ligjeve të Republikës së Kosovës.

·         Marrëveshja përfundimtare e cila mund të arrihet në procesin e Dialogut do t’i nënshtrohet një Referendumi Konsultativ para se të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

·         Cfarëdo veprimi të institucioneve të Republikës së Kosovës në raport me Republikën e Serbisë duhet të bashkërendohen dhe të miratohen dyanshëm ne mes instituticioneve të Republikës së Kosovës dhe Delegacionit shtetëror.

·         Marrëveshja përfundimtare e cila mund të arrihet në procesin e Dialogut do të konsiderohet e vlefshme vetëm pas ratifikimit të saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës sipas procedurës kushtetuese për ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare, me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat