Njohësit e integrimeve i përgjigjen Haradinajt: S’ka shanse për liberalizim

Aktuale

Njohësit e integrimeve i përgjigjen Haradinajt: S’ka shanse për liberalizim

Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 18:29
Ramush Haradinaj dhe Dhurata Hoxha

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është treguar edhe njëherë më shumë se sa optimist, duke u zotuar se do të mund të lëvizin pa viza para fundit të këtij viti.

Ani pse kanë mbetur edhe 13 ditë deri në përfundim të vitit.

“Ne tani kemi dy kërkesa për BE-në e kemi normalizimi I dialogut dhe liberalizimi i vizave, këto dyja janë në proces kjo nuk ndërlidhet me taksën kjo është e ndamë. Besoj se do ta marrim liberalizim jo shumë larg para viti të ri por kjo nuk ndërlidhet me taksën”, ka deklaruar sot Haradinaj.

Por një gjë të tillë po e konsiderojnë si të pamundshme njohës të integrimeve.

Taulant Kryeziu ka thënë se se në asnjë prej 10 përbërjeve të Këshillit të BE-së, çështja e liberalizimit të vizave nuk është paraparë të jetë në agjendë të takimeve.

“Duke marr për bazë agjendën e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit, mund te konfirmojme se në asnjë prej 10 përbërjeve të Këshillit të BE-së, çështja e liberalizimit të vizave nuk është paraparë të jetë në agjendë të takimeve.” ka thënë Kryeziu.

Ai ka shpjeguar më tej se ambasadorët kanë dakorduar agjendën e të gjitha takimeve të mbetura të Këshillit të BE-së për vitin 2018 nën kryesimin e Presidencës Austriake, para dorëzimit të Presidencës së BE-së Rumanisë.

Taulant Kryeziu – Njohës i Integrimeve Evropiane

Në këtë agjendë ka tema dytësore, por jo edhe liberalizimi.

“Ambasadorët janë dakorduar se Këshilli i BE-së do të zhvilloj deri në fund të vitit 2018 takime në këto 10 përbërje të Ministrave të BE-së: Transport, Çështje Ekonomike dhe Financiare, Telekomunikimi, Punësimi, Drejtësia dhe Çështje të Brendshme, Punët e Jashtme, Çështje të Përgjithshme, Bujqësia, Energjia dhe Mjedisi. Nesër me 19 dhjetor është takim i Këshillit për Transport Energji dhe Telekomunikacion, dhe i fundit per kete vite me 20 dhjetor eshte takimi Keshillit për çështje te mjedisit” është shprehur Kryeziu.

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Johanes Hahn, në vizitën e tij në Prishtinë, javë më parë ka thënë se nuk ka liberalizim për kosovarët deri në vitin 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat