Presidenti Trump jep Medaljen e Nderit për ushtarakun e rënë në Irak

Amerika

Presidenti Trump jep Medaljen e Nderit për ushtarakun e rënë në Irak

Më: 28 mars 2019 Në ora: 18:32
Medalja e Nderit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, akordoi medaljen më të lartë ushtarake, Medaljen e Nderit, për rreshterin Travis Atkins, i cili vdiq në Irak në vitin 2007 ndërsa po mbronte shokët e tij nga një sulm vetëvrasës. Presidenti Trump ia dorëzoi medaljen djalit të tij, Trevor Oliver, në Shtëpinë e Bardhë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, njofton më shumë për jetën dhe sakrificën e ushtarakut amerikan.

Trevor Oliver ishte vetëm 10 vjeç kur babai i tij, rreshteri i ushtrisë amerikane Travis Atkins, u dërgua në Irak për të dytën herë.

“Ishte një njeri shumë i fortë. Kishte kurajon më të madhe që kam parë tek ndonjë njeri. Ai ishte edhe një baba shumë i dashur dhe shembull i ushtarakut”, thotë djali i tij, Trevor.

Ushtria amerikane ishte frymëzimi i tij. Në fushëbetejë, ushtarakët e tjerë e shikonin si një vëlla të madh që udhëhiqte me shembullin e tij.

“Të kërkonte të bëje diçka, ndërkohë që kishte filluar ta bënte vetë”, thotë Stuart Hollingsworth, ish-anëtar i njësisë ushtarake të rreshterit Atkins.

Por, përpara se të dërgohej për të dytën herë, babai i tij Jack Atkins, vetë veteran i luftës së Vietnamit, i kërkoi që të ndërronte mendje duke shkuar në një mision më pak të rrezikshëm.

“Nuk donte të dëgjonte diçka të tillë. Më tha që unë jam anëtar i këmbësorisë dhe aty është vendi im”, thotë Jack Atkins, babai i Travis Atkins.

Në 1 qershor 2007, Travis Atkins dhe njësia e tij u përballën me dy rebelë në Irak. Ai luftoi trup me trup, duke e ulur në tokë njërin prej tyre.

Ai u pozicionua si një mburojë njerëzore për t’i mbrojtur të tjerët. Ish-rreshteri Sand Aijo e pa përleshjen nga mjeti i blinduar ku ishte pozicionuar.

“Ishte e qartë se ç’po vinte. Rezultoi se mbanin jelekë vetëvrasës. Ai pati vetëm një fraksion sekonde për të vepruar dhe e sakrifikoi veten për të më mbrojtur mua dhe të tjerët që ishin të pranishëm”, thotë zoti Aijo.

Për bashkëluftëtarët, askush nuk do ta meritonte këtë medalje më shumë.

“Ai tejkalonte të gjitha termat që përdoren për të përshkruar veprime të tilla, si trimëria dhe heroizmi”, thotë zoti Hollingsworth.

“Travis ishte një hero i vërtetë. Një hero amerikan. Shansin që më dha për të jetuar, shpresoj që po e justifikoj duke bërë më të mirën e mundshme”, thotë zoti Aijo.

Për familjarët, Medalja e Nderit nuk mund të krahasohet me nderimin dhe respektin e vetë bashkëluftëtarëve të tij. Respekt për mënyrën se si ai jetoi, shërbeu dhe bëri sakrificën më të madhe.

“Jam mirënjohëse që shpëtoi gjithë këta djem të rinj. Ishte një ushtarak i mirë dhe bëri atë që duhej”, thotë Elaine Atkins, nëna e Travis Atkins. Ata thonë se medalja njeh sakrificën e tij për një vend mirënjohës./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat