SHBA shfuqizon rregullat ekzistuese të prodhimit të energjisë nga lëndët fosile

Amerika

SHBA shfuqizon rregullat ekzistuese të prodhimit të energjisë nga lëndët fosile

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 19:01
SHBA

Administrata e presidentit Trump po shfuqizon disa rregulla që lidhen me pakësimin e çlirimit të gazeve të efektit serrë në Shtetet e Bashkuara, duke shpërfillur paralajmërimin e shkencëtarëve për pasojat më drastike që sjellin ndryshimet klimatike.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) njoftoi të mërkurën se kishte përfunduar rregulloren që do të zëvendësonte Planin për Energji të Pastër, një nismë e ish presidentit Barak Obama, për të pakësuar çlirimin e gazeve nga impiantet e qymyrit, që ndikojnë tek ngrohja globale.

"Në vend që të ndëshkojmë Shtetet e Bashkuara për prodhimin e qymyrit, duke ia lënë këtë treg Kinës, gjë që e bëri plani i zotit Obama për Enrgjinë e Pastër, ne po i barazojmë kontributet në këtë treg, duke nxitur novacionet teknologjike në të gjithë sektorin. Ne i përcaktojnë standartet e teknologjive për energji të pastër në vendin tonë. Nëse nuk e zhvillojmë teknologjinë e prodhimit të qymyrit të pastër këtu në SHBA, askush tjetër nuk ka për ta bërë këtë", thotë Andrew Wheeler, kreu i agjencisë.

Rregullorja e re për Energji të Lirë dhe Pastër, (ACE) u jep 50 shteteve amerikane tre vjet kohë për të zhvilluar planet e tyre për pakësimin e çlirimit të gazeve, duke i nxitur impiantet e qymyrit që të përmirësojnë efikasitetin e tyre.

Por ambientalistët, shumë ligjvënës demokratë dhe disa avokatë në shtete të ndryshme amerikane, thonë se rregullat e reja do të sjellin një shtim të dioksidit të karbonit dhe të ndotësve të tjerë në dekadat e ardhshme. Rregullorja e re pritet të hyjë në fuqi brenda 30 ditëve./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat