Agola dhe tregtia e skllevërve me Amerikën

Amerika

Agola dhe tregtia e skllevërve me Amerikën

Më: 29 gusht 2019 Në ora: 17:22
Foto ilustrim

Ky vit shënon 400 vjetorin e mbërritjes së skllevërve të parë afrikanë në koloninë britanike që do të shndërrohej në Shtetet e Bashkuara.

Në gusht 1619 në brigjet e kolonisë së Virxhinias mbërriti një anije me afrikanë që shënoi fillimin e sistemit të skllavopronarisë që zgjati mbi 200 vjet në këtë vend. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mayra de Lassalette dhe producentja Betty Ayoub shkuan në Angola për të mësuar për origjinën e tregtisë transatlantike të skllevërve dhe ndikimin e këtij aktiviteti në rajon:

Në 1619, një anije evropiane zbarkoi në brigjet e kolonisë së Virxhinias me një ngarkesë të pazakontë…. me të paktën 20 afrikanë të skllavëruar. Këta 20 të sjellë nga një territor afrikan që sot është Angola, ishin ata që kishin mbërritur gjallë pas një udhëtimi tepër të vështirë. Ata i priste një jetë skllavërie si qindra mijëra të tjerë që u sollën nga Afrika në Tokën e Re.

Dokumente të ndryshme kanë regjistruar shitjen dhe transportimin e afrikanëve, duke dëshmuar vuajtet dhe keqtrajtimet e panumërta.

Në Muzeum Kombëtar të Skllavërisë në Luandë të Angolës, drejtori Vlademiro Fortuna thotë se hijet e kësaj lidhjeje të Angolës me tregtinë e skllevërve ende janë të pranishme në këtë vend:

“Për pothuajse katër shekuj, ky vend, ky rajon që sot e njohim si Angola, ishte i përfshirë seriozisht në këtë aktivitet, që i shkaktoi këtij territori dëme në çdo aspekt të mundshëm. Fibrat përbërëse të shoqërisë u shkatërruan; sot jetojmë me pasojat e skllavërisë”.

Regjimi kolonizator që zgjati për disa shekuj, i ndërthurur me tregtinë e skllevërve, nxiti konfliktin në Afrikë duke thelluar varfërinë dhe paqëndrueshmërinë, thotë zoti Fortuna.

“Tregtia e skllevërve destabilizoi shoqëritë afrikane. Gjatë periudhave të skllavërisë dhe kolonizimit, shoqëritë afrikane e patën të pamundur të formonin sisteme politike e punësimi. Njerëzit përpiqen nganjëherë të harrojnë këtë pjesë të historisë prandaj kemi krijuar Muzeun Kombëtar të Skllavërisë”.

Një ndërtesë e vogël dhe një kishë pranë, të dyja me pamje nga deti, ishin të përfshira në tregtinë e skllevërve në Luandë. Pamja tërheqëse është në kontrast të thellë me ngjarjet rrënqethëse që ndodhën këtu. Në këto ndërtesa, afrikanët e kapur në konflikt konvertoheshin me detyrim në fenë e krishterë, para se të transportoheshin në Tokën e Re ku i priste fati i skllavit.

Përmes pagëzimit, kisha katolike i zhvishte këta individë nga indentiteti i tyre afrikan. Ata që silleshin në Angola pagëzoheshin me emra të krishterë portugezë.

Ata pagëzoheshin në grup dhe nëse mbërrinin gjallë pas udhëtimit u vinin emra të krishterë.

Paulino Koteka është prift në qytetin bregdetar të Benguelës, në jug të Luandës.

“Në të kaluarën, kisha dhe shteti punonin së bashku. Evangjelizmi u shërbente si kolonialistëve, ashtu edhe kishës, megjithëse mund të tingëllojë e çuditshme”.

At Koteka thotë se konvertimi kishte të mirat dhe të këqiat e veta:

“Nga njëra anë ndihmonte këta afrikanë të konvertuar të përqafonin fjalën e Zotit. Nga ana tjetër u shkatërronte identitetin dhe kulturën e tyre. Shumë prej tyre vuajtën nga ky proces, prandaj kisha ka kërkuar ndjesë për rolin e saj”.

Në 1985, Papa Gjon Pali II u kërkoi afrikanëve të falnin të krishterët e bardhë për përfshirjen në tregtinë e skllevërve.

Në lumin Kuanza, i cili derdhet në Atlantik në jug të Luandës, fillonte një rrugë e rëndësishme e tregtisë së skllevërve. Banorët në këtë zonë u bënë pjesë e kësaj tregtie:

“Pjesa më e madhe e afrikanëve u kapën pranë lumejve. Ata kapeshin nga afrikanë të tjerë që shërbenin si ndërmjetës në këtë tregti,” thotë historiania Isilda Hurst.

Historiania Hurst thotë se skllavëria varfëroi rajonin pasi i vodhi kapitalin njerëzor.

“Krahu i punës, kapitali intelektual, zejtarët u rrëmbyer. Sot ky kapital na duhet që Afrika të avancojë për më mirë”.

Zyrtarët portugezë e nxorën jashtë ligji tregtinë e skllevërve në 1836, por Angola ende nuk i ka shuar plotësisht gjurmët e këtij fenomeni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat