Shkon në 25 numri i viktimave të tornados në Tennessee të ShBA-së

Amerika

Shkon në 25 numri i viktimave të tornados në Tennessee të ShBA-së

Më: 4 mars 2020 Në ora: 10:22
Tennessee

Numri i personave të vdekur nga stuhia e fuqishme që e goditi shtetin Tennessee të Shteteve të Bashkuara ka shkuar në 25. Lajmin e bëri të ditur guvernatori i këtij shteti, William Lee.

Në Nashville, qyteti më i madh në Tennessee, stuhia shkaktoi dëme të mëdha në shtëpi dhe ndërtesa të tjera.

Stuhia filloi në orët e para të së martës, pak pas mesnatës, dhe ndodhi aq shpejt, saqë njerëzit që ishin në gjumë nuk kishin kohë të gjejnë strehim, raportojnë mediet amerikane.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se do ta vizitojë shtetin e goditur nga stuhia të premten.

Guvernatori Lee bëri të ditur gjatë një konference për gazetarë se disa njerëz janë ende të zhdukur.

Një banor tha se qyteti Nashville pas stuhisë po duket si zonë lufte.

Përpos personave të vdekur, rreth 150 të tjerë janë lënduar dhe janë dërguar në spital.

Për më tepër, rreth 44 mijë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike, shkruan “BBC”. Zyrtarët lokalë njoftuan se shkollat, gjykatat dhe linjat e transportit kanë qëndruar të mbyllura të martën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat