Ekspertët ngrejnë pikëpyetje për vendimet e drejtorit në detyrë të Zyrës së Imigracionit

Amerika

Ekspertët ngrejnë pikëpyetje për vendimet e drejtorit në detyrë të Zyrës së Imigracionit

Më: 6 mars 2020 Në ora: 22:01
Ken Cuccinelli

Një gjykatë federale në SHBA arriti në përfundimin se emërimi i Ken Cuccinelli-it në postin e drejtorit në detyrë Zyrës Amerikane të Imigracionit dhe Shtetësisë (USCIS) ishte i paligjshëm. Pas këtij vendimi, disa ekspertë i thanë Zërit të Amerikës se udhëzimet për imigracionin të lëshuara me nënshkrimin e tij janë tani të hapura për diskutim.

Vendimi i gjyqtarit Randolph Moss pezullon praktikën që u jepte azilkërkuesve në Shtetet e Bashkuara më pak kohë për t'u përgatitur për shqyrtimin e çështjes së tyre. Pezullimi vjen pikërisht pasi emërimi i Cuccinellit u shpall i paligjshëm nga gjykata.

Ekspertët e ligjit të imigracionit thonë se tani shtrohet një pyetje më e gjërë, pra nëse udhëzimet e tjera të miratuara nga Cuccinelli duhen hedhur poshtë.

"Unë mendoj se i vë në pikëpyetje të gjitha politikat e tij. Mendoj se sfida është të përcaktohet se cilat politika janë miratuar me nënshkrimin e tij, dhe cilat politika të tjera janë më të përgjithshme, ndoshta të nxitura ose të propozuara nga ai, por përfundimisht të shpallura nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare", i tha Zërit të Amerikës Sarah Paoletti, profesore e drejtësisë në Universitetin e Pensilvanisë.

Paoletti, themeluese e Zyrës Ligjore Transnacionale, tha se ata po shqyrtojnë udhëzime të tjera siç janë tarifat e propozuara për kërkesat për azil dhe heqjen e autorizimit të punës për azilkërkuesit.

Sfida ligjore u dorëzua në emër të pesë personave nga Honduarasi pasi Cuccinelli uli afatin kohor të konsultimit ligjor nga 48 ose 72 orë në "një ditë të plotë nga data e mbërritjes në një institucion paraburgimi".

Gjykatësi Moss vendosi që çështja e pesë personave nga Hondurasi të rikthehet te Zyra amerikane e Imigracionit dhe Shtetësisë për shqyrtim të mëtejshëm, por Moss nuk u dha asnjë lloj lehtësimi të tjerëve, rastet e të cilëve janë refuzuar.

Gjykatësi tha se Cuccinelli nuk ishte në mënyrë të ligjshme ndihmësi i parë i drejtorit të Zyrës Amerikane të Imigracionit dhe Shtetësisë sipas Aktit Federal të Reformës për Vendet e Hapura të Punës (FVRA) dhe nuk mund të emërohej në postin e drejtorit në detyrë.

Cuccinelli, një politikan i vijës së ashpër për çështjet e imigracionit, i cili më parë ishte prokuror i përgjithshëm i shtetit të Virxhinias, u emërua nga Presidenti Trump në postin e Zëvendës Drejtorit kryesor të Zyrës Amerikane të Imigracionit dhe Shtetësisë.

"Unë mendoj se tani do të analizohet vendimi për të kuptuar se cilat udhëzime ndikohen nga ai. A do të rishikohen edhe politikat e nënshkruara nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare?", tha Paoletti.

Cuccinelli i tha kanalit Fox News se udhëzimet do të "rishikohen dhe verifikohen në mënyrë efektive".

"Rruga më e mirë", sipas profesorit të drejtësisë në Universitetin e Richmondit, Carl Tobias është emërimi i Cuccinellit për "gjëra që siç duket presidenti nuk dëshiron t’i bëjë. … Administrata nga këndvështrimi i saj është plotësisht e lumtur që ai (Cuccinelli) të vazhdojë punën, ndërsa ata e shqyrtojnë aspektin ligjor të kësaj çështje,” tha Tobias për Zërit të Amerikës.

Profesor Tobias thotë se urdhëri i gjykatësit Moss, megjithëse ishte i një natyre të ngushtë, ishte "i arsyeshëm".

"Por ky vendim ka pasoja shumë më të gjëra dhe unë mendoj se pikërisht për këtë njerëzit janë të interesuar," tha profesor Tobias. "Pra, ne do të shohim se si funksionon kjo me çështjet e tjera, rastet e akuzave për shfrytëzim të fondeve publike dhe çështje të tjerët që lidhen me këtë."

Profesor Tobias shtoi se mund të jetë e vështirë të gjurmosh disa nga udhëzimet e imigracionit për të cilat ishte përgjegjës Cuccinelli.

Qeveria pritet të apelojë vendimin

Në një seancë dëgjimore të 3 marsit para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare, Sekretari në Detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Chad Wolf tha se avokatët e qeverisë pritet të apelojnë vendimin e gjykatës së distriktit.

Ligjvënësja Kathleen Rice nga Nju Jorku, kryetare e Nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë e Kufijve, Lehtësimin dhe Operacionet, e pyeti zotin Wolf se pse Cuccinelli vazhdon të mbaj postin, që shkel Aktin Federal të Reformës së Vendeve të Hapura të Punës (FVRA).

Zoti Wolf u përgjigj se zyrtarët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare "po analizojnë çështjen për të parë se çfarë do të bëjnë me ato vendime të kufizuara që (Cuccinelli) i ka nënshkruar".

Shumica e posteve të larta në Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe agjencitë e tij më të vogla janë të plotësuara me zyrtarë në detyrë, përfshirë Sekretarin, Zëvendës Sekretarin dhe zyrtarin kryesor financiar. Edhe postet e drejtorit të Zyrës së Imigracionit dhe Doganave, komisionerit të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufijve dhe drejtorit të Zyrës së Imigracionit dhe Shtetësisë janë të plotësuara me zyrtarë në detyrë.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Lee Francis Cissna, asokohe drejtori i konfirmuar nga Senati i Zyrës së Imigracionit dhe Shtetësisë, dha dorëheqjen më 1 qershor të vitit 2019. Sipas Aktit Federal të Reformës për Vendet e Hapura të Punës, "ndihmësi i parë" i zotit Cissna, zëvendës drejtori Mark Koumans, pritej të merrte automatikisht postin e drejtorit në detyrë.

Nëntë ditë pas dorëheqjes së zotit Cissna, Kevin McAleenan, Sekretari në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në atë kohë, emëroi zotin Cuccinelli "në postin e zëvendësdrejtori kryesor të Zyrës së Imigracionit dhe Shtetësisë", një pozicion që dokumentet e gjykatës thonë se nuk ekzistonte përpara emërimit të Cuccinellit.

McAleenan bëri ndryshime në radhën e pasuesit të drejtorit të Zyrës së Imigracionit dhe Shtetësisë, duke përcaktuar pozicionin e krijuar rishtazi të Zëvendës Drejtorit kryesor si "ndihmësi i parë” dhe pasardhësi i parë i drejtorit të Zyrës së Imigracionit dhe Shtetësisë.

Dokumentet tregojnë se këto dy ndryshime ndodhën pas dorëheqjes së zotit Cissna, dhe lejuan zotin Cuccinelli të tejkalojë zotin Koumans për t'u bërë drejtor në detyrë i Zyrës së Imigracionit dhe Shtetësisë.

Zëdhënësja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Heather Swift, tha: "Ne padyshim nuk jemi dakord me mendimin e gjykatës, dhe po e analizojmë atë."/VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat