Presidenti Trump dërgon agjentë federalë në më shumë qytete për të shuar dhunën

Amerika

Presidenti Trump dërgon agjentë federalë në më shumë qytete për të shuar dhunën

Më: 23 korrik 2020 Në ora: 06:16
Agjentët federalë pranë gjykatës në Portland, Oregon

Agjentët federalë të zbatimit të ligjit janë duke u dislokuar në dy qytete të tjera amerikane për t'i dhënë fund një rritjeje të numrit të vrasjeve.

"Kjo gjakderdhje duhet të marrë fund. Kjo gjakderdhje duhet të përfundojë, "tha Presidenti Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke njoftuar zgjerimin e të ashtuquajturit "Operacioni Legjenda".

Aksioni federal filloi dy javë më parë në qytetin Kansas në Mizuri, duke rezultuar në 200 arrestime, tha Prokurori i Përgjithshëm amerikan William Barr, dhe tani do të zgjerohet në qytetin Albakërk të shtetit Nju Meksiko, dhe në qytetin më të madh në perëndimin e vendit - në Çikago të shtetit Illinoi.

Rreth 200 anëtarë të forcave federale do të dërgohen në Çikago - aq sa shkuan në Kansas - dhe 35 në Albakërk.

"Ndihma po vjen", u tha Presidenti Trump banorëve të Çikagos.

Dislokimi i oficerëve federalë të zbatimit të ligjit kundërshtohet nga drejtuesit e qyteteve në Albakërk dhe Çikago.

Njoftimi i Presidentit Trump është një "lojë politike", u tha gazetarëve kryetarja e bashkisë së Çikagos, Lori Lightfoot.

Kryebashkiakja e karakterizoi veprimin e presidentit si një përpjekje për të larguar vëmendjen nga dështimi i tij në trajtimin e pandemisë së koronavirusit. Reagimi tipik i presidentit ndaj çdo sfide, tha ajo, është të "kritikojë, përçajë dhe diskreditojë".

Të martën në mbrëmje, dhuna e regjistruar në Çikago përfshinte një betejë me armë zjarri mes anëtarëve të disa bandave në një funeral ku u plagosën 15 persona dhe u qëllua një vajzë 3-vjeçare.

Operacioni Legjenda nuk është pjesë e përdorimit të diskutueshëm të agjentëve federalë nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare për të shuar trazirat në Portland, Oregon.

Qyteti i ndodhur në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara, pati forca federale të vendosura atje që në fillim të korrikut. Që nga ajo kohë, ato që kishin qenë protesta më të vogla kundër ushtrimit të tepruar të dhunës së policisë dhe padrejtësisë racore janë rritur dhe janë bërë më të tensionuara, me përleshje midis protestuesve dhe personelit federal, dhe akuza se forcat federale i marrin njerëzit në makina pa shenja dalluese dhe pa arsye.

Zyrtarët federalë e kanë mbrojtur dislokimin si të nevojshëm, duke thënë se drejtuesit lokalë dhe forcat e ligjit dështuan të ndalojnë vandalizmin dhe dhunën kundër oficerëve federalë në gjykatën federale në Portland.

"Pavarësisht nëse është e ligjshme apo jo, është shumë e diskutueshme dhe po luftohet në gjykata në një sërë frontesh dhe po dënohet nga personalitete të rëndësishme republikane", tha Omar Wasow, profesor i politikës në Universitetin Princeton.

Pavarësisht nëse përdorimi nga Presidenti Trump i forcave federale për zbatimin e ligjit do të qëndrojë apo jo në gjykatë, fushata e tij për rizgjedhje tashmë po përdor konfliktin si një mënyrë për të avancuar axhendën e tij.

"Është e qartë se ata mendojnë se është një çështje e mirë fushate për ta", tha zoti Wasow për Zërin e Amerikës.

Prokurorja e Përgjithshme e Oregonit, Ellen Rosenblum, ka ngritur një nga disa paditë që kundërshtojnë dislokimet dhe veprimet e oficerëve federalë.

"Këto veprime, nëse nuk kufizohen, do të përshkallëzohen më tej. Ato në të vërtetë po përshkallëzohen", i tha zonja Rosenblum gjykatësit të qarkut, Michael Mosman, të mërkurën.

Nuk është e qartë se kur Gjykatësi Mosman do të vendosë mbi kërkesën e shtetit që të lëshojë një urdhër ndalimi të përkohshëm.

David Chipman, një këshilltar i lartë për politikën në Qendrën Ligjore "Giffords" për "parandalimin" e dhunës me armë, i tha Zërit të Amerikës se kur ishte agjent i Byrosë për Alkoolin, Duhanin, Armët e Zjarrit dhe Eksplozivët, "Unë isha krenar që punoja me drejtuesit lokalë kur ata kishin nevojë për ndihmë për të korrigjuar gabimet", por se veprimet e fundit të Presidentit Trump në Portland dhe deklaratat e tij në lidhje me problemet në qytete të tjera "e bëjnë të qartë se ai mendon se organet federale ligjzbatuese janë gurët e tij personalë të shahut për të rrëmbyer më shumë pushtet partiak".

Zoti Chipman shtoi se ai është "i trishtuar dhe i zemëruar që Presidenti Trump duket se kujdeset më shumë që të udhëzojë agjentët për të mbrojtur monumentet, sesa për njerëzit që protestojnë për të drejtat e tyre".

Gjithashtu të mërkurën, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio i dërgoi një letër zotit Barr dhe zotit Chad Wolf, sekretar i përkohshëm i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, duke kundërshtuar praninë e organeve federale të zbatimit të ligjit në qytetin e Nju Jorkut.

"Ne nuk jemi dakord. Ne kundërshtojmë. Mos i dërgoni agjentët dhe oficerët e propozuar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare ose agjenci të tjera federale në qytetin e Nju Jorkut", tha kryetari i bashkisë në letrën e tij. “Ata nuk janë kërkuar. Ata nuk janë të nevojshëm. Dhe ata kanë dëshmuar se sjellin më shumë dëm sesa të mira".

Të martën, një grup prej 15 kryetarë bashkish nga qytetet e mëdha të Shteteve të Bashkuara, përfshirë zonjën Lightfoot në Çikago dhe Ted Wheeler në Portland, i dërguan një letër qeverisë federale ku kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të forcave të saj dhe shprehin qëndrimin "kundër çfarëdolloj dislokimi të njëanshëm në qytetet e Shteteve të Bashkuara"./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat