SHBA/ Shoqata Kombëtare e Armëve kërkon mbrojtje nga falimenti dhe largimin nga Nju Jorku

Amerika

SHBA/ Shoqata Kombëtare e Armëve kërkon mbrojtje nga falimenti dhe largimin nga Nju Jorku

Më: 16 janar 2021 Në ora: 06:44
Ilustrim

Shoqata Kombëtare e Armëve (NRA) paraqiti të premten kërkesën në një Gjykatë për Falimentin duke kërkuar mbrojtje nga kreditorët ndërsa ajo ristrukturohet, njoftoi grupi i avokatisë për të drejtat e armëve.

NRA-ja e paraqiti kërkesën në gjykatën në Dallas, thuhet në një njoftim të saj për shtyp. NRA-ja tha se do të ristrukturohet si një organizatë jofitimprurëse në Teksas për të dalë nga ajo që tha se ishte një mjedis “politik dhe rregullator i korruptuar në Nju Jork”, ku është regjistruar aktualisht.

Organizata me influencë tha në një deklaratë se nuk do të ketë ndryshime të menjëhershme në operacionet e saj ose fuqinë punëtore dhe se “do të vazhdojë me avancimin përpara të përpjekjes – ballafaqimin me aktivitetet kundër Amendamentit të Dytë, promovimin e sigurisë dhe trajnimit për armët e zjarrit dhe avancimin e programeve publike në mbarë Shtetet e Bashkuara”. Amendamenti i Dytë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara garanton të drejtën për të mbajtur armë.

Procedimi gjyqësor
Gushtin e kaluar, Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut Letitia James ngriti padi për të shpërndarë NRA-në, duke pretenduar se udhëheqësit e lartë të grupit jofitimprurës kishin devijuar miliona dollarë për përdorim personal dhe për të blerë heshtjen dhe besnikërinë e ish-punonjësve. Padia e ngritur nga zonja James në një gjykatë në Manhattan pretendon se udhëheqësit e NRA-së paguan për udhëtime familjare në Bahamas, avionë privatë dhe vakte të shtrenjta që kontribuan në një ulje prej 64 milionë dollarë në bilancin e NRA-së në tre vjet, duke e kthyer sufiçitin në defiçit.

NRA-ja u përgjigj duke e paditur zonjën James, një demokrate, në gjykatën federale, duke thënë se ajo kishte shkelur të drejtën e NRA-së për fjalën e lirë dhe duke kërkuar të bllokonte hetimin e saj. Ende pritet të merret një vendim. NRA-ja në dekadat e fundit ka qenë një nga zërat kryesorë që kundërshtojnë masat e propozuara ose ekzistuese për kontrollin e armëve. Veprimet e NRA-së mund të pezullojnë padinë e prokurores së përgjithshme dhe një ristrukturim mund t’i heqë asaj mundësinë për të kërkuar shpërbërjen e kësaj organizate. Në padinë e saj, zonja James kishte thënë se regjistrimi i NRA-së si një organizatë jofitimprurëse në Nju Jork i dha asaj autoritetin për ta shpërndarë atë./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat