Presidenti Biden paraqet planin për luftën ndaj pandemisë

Amerika

Presidenti Biden paraqet planin për luftën ndaj pandemisë

Më: 22 janar 2021 Në ora: 19:31
Joe Biden

Në ditën e tij të parë të plotë në detyrë, Presidenti Joe Biden paraqiti strategjinë e tij kombëtare për pandeminë që përfshin disa urdhra ekzekutivë në lidhje me vaksinimet dhe testimet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara sjell hollësi lidhur me përpjekjet e administratës së re për të luftuar koronavirusin brenda vendit dhe në botë.

Ndërsa mbi 410,000 amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Joe Biden filloi të enjten zbatimin e planit të tij për të luftuar pandeminë.

"Strategjia jonë kombëtare është gjithëpërfshirëse. Ajo bazohet në shkencë jo në politikë. Ajo bazohet tek e vërteta, jo mohimi i realitetit. Dhe është e detajuar", tha ai.

Zoti Biden nënshkroi një serë urdhrash ekzekutive përfshirë detyrimin për mbajtjen e maskës, kërkesat për testim dhe karantinë për udhëtarët, mbështetje për rihapjen e shkollave dhe mbrojtje për punëtorët e vijës së parë të frontit.

"Sot po nënshkruaj urdhrin ekzekutiv për të aktivizuar Ligjin për Prodhimin e Mbrojtjes dhe kompetencat e tjera në dispozicion për të udhëzuar të gjitha agjencitë federale dhe industrinë private që të përshpejtojnë prodhimin e gjithçkaje që është e nevojshme për të mbrojtur, testuar, vaksinuar dhe për t’u kujdesur për njerëzit tanë", tha ai.

Shtetet e Bashkuara po normalizojnë gjithashtu marrëdhëniet me komunitetin global të shëndetësisë. Këshilltari kryesor i shëndetësisë i Shtëpisë së Bardhë, Dr Anthony Fauci, njoftoi të enjten se SHBA po kthehet në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe po mbështet përpjekjen globale për të luftuar pandeminë.

Dr Anthony Fauci, Këshilltari kryesor i shëndetësisë i Shtëpisë së Bardhë

"Shtetet e Bashkuara po bashkohen me nismën COVAX dhe programin global ACT për të çuar përpara përpjekjet shumëpalëshe për vaksinën COVID-19, shpërndarjen e terapive dhe mjeteve diagnostikuese, qasjen e drejtë dhe studimin dhe zhvillimin", tha ai.

COVAX është një program bashkëpunimi i 92 vendeve për vaksinën, i refuzuar nga ish-Presidenti Trump, i cili ndiqte strategjinë "Amerika e Para", për vaksinën. Qasja kritikohet nga ata që theksojnë se virusi nuk njeh kufij.

"Është me të vërtetë e rëndësishme që të ndihmojmë sa më shumë vende në mënyrë që ato vende dhe partnerët tanë të sigurojnë stabilitetin e tyre, si edhe për sigurinë tonë kombëtare dhe interesat tona ekonomike”, thotë këshilltari kryesor mjekësor i Qendrës për Politika Dypartiake, dr. Anand Parekh.

Rikonfirmimi i mbështetjes dhe rifillimi i dhënies së fondeve për OBSH- në shënon një distancim nga administrata Trump, e cila shpesh kishte kritikuar agjencinë globale për përgjigjen e saj ndaj pandemisë.

"Është një ditë e mirë për OBSH -në dhe një ditë e mirë për shëndetin global."

Më shumë se 17 milion amerikanë janë vaksinuar për COVID-19. Administrata e zotit Biden tani është përqendruar në injektimin e 100 milionë vaksinave në 100 ditët e para./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat