Vullnetarët ndihmojnë mijëra njerëz të sigurojnë takime për të marrë vaksinën

Amerika

Vullnetarët ndihmojnë mijëra njerëz të sigurojnë takime për të marrë vaksinën

Më: 19 prill 2021 Në ora: 19:00
Foto ilustrim

Të moshuarit në Shtetet e Bashkuara dhe shtresa të tjera që nuk kanë qasje tek teknologjia kanë hasur vështirësi për të siguruar një takim për të marrë vaksinën. Një nga problemet ka qënë rezervimi në internet. Siç na njeh korrespondenti i Zërit të Amerikës Matt Dibble në kronikën në vazhdim,një rrjet vullnetarësh nga mbarë vendi me aftësi teknologjike po përpiqen t’i japin përgjigje kësaj sfide.

Pensionistja Trude Hoffacker, e cila ka qënë arsimtare, plotëson të paktën pesë fjalëkryqe në ditë. Por kur erdhi puna për të rezervuar një takim për vaksinën e dytë, ajo u ndesh me vështirësi. Ofruesit të kujdesit të saj shëndetësor sapo i kishin mbaruar furnizimet. Asaj iu desh të kërkonte diku tjetër, ndërsa afati po mbaronte.

“Ka shumë njerëz të moshës time që nuk janë në internet, nuk kanë shumë njohuri kompjuterike.”

Ndërsa 30% e popullsisë në Amerikë është vaksinuar plotësisht, sipas Universitetit John Hopkins, sfida qëndron tek vaksinimi i popullsisë më të rrezikuar. Varësia tek sistemet e rezervimit në internet ka krijuar pengesa për të moshuarit dhe të tjerët që nuk kanë kompjutera apo kohë të lirë për gjetur një vend që ofron vaksinimin.

Për fat të mirë për Trude-in, ndihma erdhi nga Michael Brockman, një fqinj 23-vjeçar që punon në një kompani të madhe teknologjike. Michael bëri kërkime në internet për siguruar një rezervim që fqinja e tij të bënte vaksinën. Por edhe ai hasi në vështirësi, tregon ish-mësuesja Trude Hoffacker.

“I thashë, Michael mjaft tani dhe e shikojmë këtë punë nesër. Por ai mezi fjeti atë natë, siç më tregoi vetë të nesërmen kur më telefonoi për të më thënë se kishte arritur të më siguronte një takim për të marrë vaksinën.”

Michael filloi “gjuetinë” në internet për siguruar takime për miqtë dhe të afërmit dhe tani është vullnetar me “Engjëjt e Vaksinës”, një organizatë jofitimprurëse që siguron rezervime për vaksinimin në mbarë Shtetet e Bashkuara.

“Në fundjavë, kur nuk bëj punën e përditshme, mund të bëj afro 100 rezervime për vaksinimin e këtyre njerëzve në nevojë.”

Shërbimi “Engjëlli i Vaksinës”, që është falas, u themelua nga Katelyn Hertel, pasi ajo e pa sa e vështirë ishte për të bërë një rezervim në internet për vaksinimin e prindërve të saj.


“Në mes të natës vendosa t’ia nis punës. Brenda një nate krijuam gjithçka dhe të nesërmen erdhën kërkesat e para dhe njerëzit dolën vullnetarë.”

Një muaj më pas, rrjeti ka siguruar më shumë se 10 mijë rezervime në 47 shtete, një tregues se sa e madhe është nevoja, dhe jo vetëm mes të moshuarve, thotë themeluesja Katelyn Hertel.

“Kemi pasur një fluks mësuesisht dhe prindërish me fëmijë të vegjël. Kemi krijuar formularë në gjuhën spanjolle dhe po krijojmë një tjetër në gjuhën kineze.”

Vullnetarët ndajnë këshilla dhe inkurajojnë njëri-tjetrin.

“Mesnata është vakti më i mirë për të siguruar një takim për marrjen e vaksinës. Është koha kur vullnetarët punojnë për orë të tëra. Dua të them se jam në kërkim të thesarit dhe unë jam Indiana Jones”, thotë Katelyn duke marrë shkas nga filmi i famshëm.

“Ka raste kur zhgënjehesh dhe dekurajohesh, por kur ia arrin të sigurosh një takim për vaksinimin, është mjaft shpërblyese”, thotë Katelyn Hertel, themeluese e organizatës jofitimprurëse “Vaccine Fairy”

Vullnetarët si Michael marrin mesazhe nga njerëzit të cilëve u kanë siguruar takimet për marrjen e vaksinës.

“Në një rast, dikush më shkruante: ‘Dua të them se më shpëtove jetën’. Është bukur të dish se po bën një ndryshim”,thotë vullnetari që ndihmon të tjerët të sigurojnë një takim për të marrë vaksinën./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat