“Burg, vdekje ose fitore”, ja si e parashikon të ardhmen e tij presidenti brazilian

Amerika

“Burg, vdekje ose fitore”, ja si e parashikon të ardhmen e tij presidenti brazilian

Më: 30 gusht 2021 Në ora: 07:20
Presidenti brazilian Jair Bolsonaro

Presidenti brazilian Jair Bolsonaro, ka thënë se sheh tre alternativa për të ardhmen e tij: burg, vdekje ose fitore në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Udhëheqësi populist i krahut të djathtë është pas ish-Presidentit të krahut të majtë Luiz Inacio Lula da Silva në sondazhe.

“Unë kam tre alternativa për të ardhmen time: të arrestohem, të vritem ose të fitoj,” u tha ai udhëheqësve ungjillorë, shkruan BBC.

Por ish-oficeri ushtarak tha se nuk kishte asnjë shans për burg sepse “asnjë njeri në Tokë nuk do të më kërcënojë.”

Bolsonaro gati u godit me thikë për vdekje gjatë fushatës në vitin 2018. Vërejtjet e tij vijnë mes tensioneve të ashpra midis tij dhe gjyqësorit të vendit dhe autoriteteve zgjedhore.

Presidenti 66-vjeçar, i cili shpreson për një mandat të dytë vitin e ardhshëm, ka vënë në dyshim sistemin elektronik të votimit në Brazil dhe kërcënoi të mos pranojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Të mërkurën, kreu i gjykatës zgjedhore të Brazilit këmbënguli se nuk kishte asnjë problem me sistemin e votimit. Por në një takim me udhëheqësit e krishterë të shtunën, Bolsonaro nuk pranoi të tërhiqej në kritikat e tij.

“Ne kemi një president i cili as nuk dëshiron as nuk provokon një këputje, por gjithçka ka një kufi në jetë. Unë nuk mund të vazhdoj të jetoj me këtë,” tha ai.

Presidenti u bëri thirrje udhëheqësve ungjillorë të bashkohen me demonstratat e planifikuara mbarëkombëtare më 7 shtator në mbështetje të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat