Gjykatësi urdhëron autoritetet e Teksasit të pezullojë ligjin që ndalon shumicën e aborteve

Amerika

Gjykatësi urdhëron autoritetet e Teksasit të pezullojë ligjin që ndalon shumicën e aborteve

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 17:20
Teksas

Një gjykatës federal urdhëroi të mërkurën autoritetet e Teksasit të pezullojnë zbatimin e një prej ligjeve më kufizuese të abortit në Shtetet e Bashkuara. Që nga shtatori i këtij viti, ky ligj ka ndaluar shumicën e aborteve, në shtetin e dytë më të populluar të vendit.

Urdhri i gjykatësit Robert Pitman është goditja e parë ligjore ndaj ligjit të Teksasit, i cili deri më tani i kishte mbijetuar një valë sfidash të hershme ligjore.

Në një opinion prej 113 faqesh, që shoqëronte urdhrin, gjykatësi Pitman shkruante, se ligjvënësit republikanë kishin "shpikur një skemë të pashembullt, për t'u mohuar grave të drejtën e tyre kushtetuese për abort”. "Që nga momenti kur ky ligj hyri në fuqi, gratë janë penguar në mënyrë të paligjshme të kontrollojnë jetën e tyre, bazuar në të drejtën që u jep Kushtetuta", shkruante zoti Pitman.

Ai shtonte më tej se “kjo gjykatë nuk do të lejonte qoftë dhe një ditë më shumë”, atë që gjykatësi federal e cilësonte si “pengim ofendues të një të drejte kaq të rëndësishme".

Por edhe pas këtij vendimi, që pezullon zbatimin e ligjit, klinikat që kryejnë aborte në Teksas mund të mos rifillojnë menjëherë nga puna. Mjekët druhen se ata mund të paditen pa një vendim ligjor të formës së prerë.

Zyrtarët e Teksasit ka të ngjarë të kërkojnë hedhjen poshtë të këtij vendimi nga një Gjykata Federale e Apelit, e njëjta që ka lajuar më parë zbatimin e ligjit.

Ligji, i nënshkruar nga Guvernatori i Teksasit Greg Abbott në muajin maj, ndalon kryerjen e abortit, pasi dëgjohen të rrahurat e zemrës së fetusit, çka ndodh zakonisht rreth javës së 6 të shtatzanisë. Por kundërshtarët tij thonë, se gjatë kësaj periudhe disa gra nuk e dinë ende që janë shtatzëna.

Për zbatimin e ligjit, Teksasi u jep të drejtë qytetarëve të ngrenë padi kundër shkelësve të ligjit dhe në se fitojnë gjyqin, ata përfitojnë të paktën 10 mijë dollarë shpërblim.

Vendimi i sotëm i gjykatësit Pitman, erdhi pas një padie të ngritur nga administrata Biden, që thotë se kufizimet bien ndesh me Kushtetutën.

Administrata argumenton se Teksasi ka sulmuar të drejtën kushtetuese të një gruaje për abort, duke vendosur kufizime të sajuara nga republikanët, të cilat hynë në fuqi më 1 shtator.

Klinikat e abortit thonë se frika e tyre është bërë realitet brenda një periudhe të shkurtër nga hyrja në fuqi e ligjit. Organizata jofitimprurëse “Plannet Parenthood” tha se numri i pacientëve nga Teksasi në klinikat e saj në këtë shtet, u ul me rreth 80 për qind në dy javët e para pas hyrjes në fuqi të ligjit./VOA

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat